Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq është takuar me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Vuçiq tha se me Lajçakun folën për Kosovën dhe mbijetesën e popullit serb, e po ashtu edhe për situatën në terren, për të cilën Vuçiq tha se Lajçaku e njeh shumë.
“Folëm jo vetëm për situatën në terren, të cilin ai e njeh shumë, por edhe për atë që BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare nuk po e bëjnë, e të cilat janë të obliguara për ta bërë, si dhe për atë që Serbia, brenda mundësive të saj, synon ta bëjë për t’i mbrojtur njerëzit e saj dhe të drejtën e tyre për jetë dhe liri”, tha Vuçiq.
Më tej, Vuçiq tha se Lajçakun e informoi për masat e miratuara nga Serbia për siç tha, mbrojtjen e serbëve, teksa tha se “nuk do ta lejojmë pogromin dhe persekutimin e popullatës sonë”.
“Edhe një herë i kam bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet konkretisht dhe me vendosmëri në çështjet thelbësore për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, tha Vuçiq.