Vetëm 19 vjeçar dhe shtatë incidente penale e afro 100 gjoba për kundërvajtje, e kaluara kriminale e Shkumbin Sekiraqës

Aktuale

Vetëm 19 vjeçar dhe shtatë incidente penale e afro 100 gjoba për kundërvajtje, e kaluara kriminale e Shkumbin Sekiraqës

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 17:40
Shkumbin Sekiraqa

Shkumbin Sekiraqa dhe Pajtim Gashi janë dy nga “protagonistët” e konfliktit të parë mes familjes së Sekiraqëve dhe atyre të Capave. Dosja e 19-vjeçarit Shkumbin Sekiraqa është e trashë, teksa vetëm kundërvajtje në trafik i ka përafro 100 sosh.

Shkumbin Sekiraqa, i biri i Salih Sekiraqës, po gjykohet edhe për vrasjen në tentativë të kryer në mars të këtij viti, ku la të plagosur Pajtim Gashin. Në bazë të të dhënave në regjistrat e Policisë së Kosovës, 19-vjeçari ka të regjistruara shtatë incidente.

Siç mëson gazeta gjashtë nga shtatë incidentet iu janë referuar prokurorëve, teksa njëra është hedhur poshtë.

Disa prej tyre janë të kryera edhe para se Shkumbin Sekiraqa të arrinte moshën madhore.

Shkumbin Sekiraqa dyshohet që më 2021-ën kreu veprën penale “Sulmi” më 25 tetor të 2021-ës. Ndërkaq më 16 shkurt të 2022-ës ai është shoqëruar në stacion si i dyshuar për kanosje.

Më 24 qershor të 2022-ës, ai dyshohet t’i ketë kryer tri vepra penale si në vijim: Pjesëmarrja në rrahje, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Po ashtu edhe në janar të këtij viti ai është marrë në stacion si i dyshuar për kanosje dhe lëndim të lehtë trupor.

Po ashtu, Sekiraqa ka të regjistruar 82 kundërvajtje në komunikacion.

Insajderi pak ditë më parë raportoi për atë çfarë Sekiraqa kishte deklaruar në polici tre muaj pasi që qëndroi në arrati për veprën penale “vrasje në tentativë”. Kur ishte pyetur nga zyrtari policor nëse e njihte Pajtim Gashin, ai kishte thënë se për të kishte dëgjuar vetëm në media. Më pas kishte thënë se nga mediat ka dëgjuar se Gashi ka probleme me të.

Ai po ashtu është pyetur edhe për videot e publikuara në media nga vendngjarja, ku ka thënë se i ka parë por që ka mohuar të ketë gisht në këtë rast.

Sekiraqa është pyetur edhe për Robert Llumnicën, personin i cili mbeti i plagosur në sulmin me armë zjarri më një shtator të këtij viti në lagjen Aktash të Prishinës. Ka thënë se e ka komshi dhe e ka “një si je, çka po bën” me të.

“Nuk jam lajmëruar pasi qe kam mendu se policia po e kupton se pasi qe unë nuk kam te bej me rastin kurse ne ditën e par nuk kam paraqit për shkak se edhe vitin e kaluar si i mitur me kanë akuzuar për një rast ku kam qëndruar ne paraburgim dy muaj deri sa kam kuptuar se kam të bëj unë me rast dhe jam liruar nga gjykata si i pa fajshëm kurse ma vonë nuk jam paraqit se kam mëndu se u kuptua qe skam te bej me rast deri sa kam kontaktu me avokatin për çështje tjera dhe i njëjti me ka udhëzuar me shkua mu paraqit ne stacion policor për ta sqaruar pozitën time”, ka thënë ai.

Më pas, ai ka mohuar se gjuajtja me armë zjarri pranë shtëpisë së tij në ditën kritike ka ndonjë lidhje me rastin e ndodhur në rrugën “Bedri Shala”.

Shkumbin Sekiraqa akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se më 04.03.2024 kishte tentuar ta privojë nga jeta Pajtim Gashin.

“Rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë deri sa ishte duke lëvizur me një veturë të tipit “Audi” pronë e të pandehurit tjetër M.Haliti, ishte takuar me personin NN i cili lëvizste me një pickap, i pandehuri Shkumbin Sekiraqa për arsye të panjohura me dashje me qëllim që të privoj nga jeta të dëmtuarin Pajtim Gashi pas bisedës me NN personin i drejtohet me fjalët “paja shoq a po më njeh mu” ku më pas e sulmojnë fizikisht”, përshkruhet në aktakuzë ngjarja e cila ndodhi më katër mars të këtij viti.

Aktakuza përshkruan edhe se Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, kishte shtënë në drejtim të Pajtim Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të alltisë.

Sekiraqa gjendet në paraburgim për të njëjtën vepër penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat