Mesazhe të forta nga Samiti i Kosovës për paqe dhe demokraci

Aktuale

Mesazhe të forta nga Samiti i Kosovës për paqe dhe demokraci

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 18:52
Jeffrey Hovenier

Në Prishtinë është mbajtur edicioni i tretë i Samitit të Paqes dhe Demokracisë. Në fokus të diskutimeve ishin raportet e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se synimi i SHBA-ve është që procesi i dialogut të përfundoj me njohje reciproke.

Pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë si dhe diplomatë u mblodhën në kuadër të Samitit për Paqe dhe Demokraci që u mbajt të mërkurën në Prishtinë.

E nga ky samit u dhanë disa mesazhe të forta.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, nënvizoi edhe njëherë rëndësinë që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet me njohje reciproke.

“Njohja reciproke mbetet synimi kryesor i Shteteve të Bashkuara sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është mese e qartë” , tha ambasadori amerikan.

Mirëpo diplomati amerikan i pati edhe disa fjalë të papërshtatshme drejtuar qeverisë.

“Gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem me falni për karakterin paksa të shëmtuar të në të, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit. Qëllimi im se çka dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime”, tha Hovenier.

Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e bëri të qartë se Kosova dhe Serbia nuk mund të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane pa i normalizuar tërësisht raportet, derisa e porositi qeverinë e Kosovës që ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Për të marrë kapitullin e zgjerimit, dhe e them vazhdimisht, Kosova duhet të jetë aktive në këtë çështje të AKS-së, sepse është një rrugë e qartë për të integruar edhe pakicën serbe të Kosovës dhe gjithashtu me këtë Kosova tregon se për të kjo marrëveshje është gjallë. Ndryshe, BE-ja mbetet e pakapshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, tha Rohde.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Sbunker, Bardh Bakija, u shpreh i shqetësuar me rritjen e autoritarizmit dhe nacionalizmit që po fitojnë më shumë terren.

“Tema jonë e këtij viti, realitetet radikale, dinamika etno-politike dhe integrimi euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, flet për forcat e dyfishta që formësojnë realitetin tonë. Nga njëra anë, nacionalizmi dhe autoritarizmi po fitojnë terren, nga ana tjetër, shumë prej nesh mbeten të përkushtuar ndaj besimit se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron te demokracia, bashkëpunimi dhe integrimi euroatlantik”, u shpreh Bakija.

Mes tjerash, Bakija përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë që sipas tij tregon se sa e brishtë është paqja në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat