Gjykata e Apelit ka nxjerrë vendim, duke e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila vitin e kaluar shpalli aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohej për veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve“,
Apeli e dënoi Granit Elshanin me 24 vjet burgim për rastin e 2 janarit 2010, ku në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri dhe për pasojë ishte vrarë B.Sh.
Sinjali mëson se në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk ka kundërthënie mes dispozitivit dhe arsyeve të dhëna, ndërsa pretendimet e Prokurorisë Speciale për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike janë marrë si të bazuara.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte liruar Elshanin nga akuzat në nëntor të vitit 2023, duke deklaruar se kishte “ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.”
Elshani akuzohej se “me datën 02 janar 2010, rreth orës 22:45 minuta, në Pejë, në diskotekën “C.C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K., ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B.Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V.K., A.B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë. Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C.C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H.B.”.
Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 maj të vitit 2018, kishte shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit.