Ish-deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se ish-ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka qenë një super ministër, por që i njëjti ka dhënë dorëheqje nga ky post për shkak të ndërhyrjeve politike.
Ai tha se ndërhyrjet kanë ardhur nga Zyra e Kryeministrit, por edhe nga Dejona Mihali, Koordinatorja e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“(Armend Mehaj ka qenë) Një super ministër, që duhet të krenohet Kosova me të. Është dashur të dalë e të thotë ‘për arsye personale’. Nuk qëndrojnë hiç arsyet personale. Jam i sigurt 100% për këto që po i them, ai është një djalë i edukuar, dhe nuk ka ardhur të bëjë karrierë e as nuk e ka atë qëllim, sepse është oficer i zoti dhe i familjes së mirë. Unë po them, ka dhënë dorëheqje për shkak të ndërhyrjes direkte nga Zyra e Kryeministrit. Për shkak të ndërhyrjes në gradime, transfere të papërgjegjshme, degradim të oficerëve, për mosdekorim meritor të oficerëve të lartë. Kemi gjeneralë që kanë shkuar në shtëpi që nuk kanë pranuar t’ua japin gradën e nderit. Krejt këto i ka bërë një zonjë e nderuar që udhëheq qeverinë e Kosovës. Ia kam harruar emrin, besoj krejt Kosova e di. (I ndërhyn moderatori: a e keni fjalën për Dejona Mihalin?). (Vazhdon Haradinaj). E di ajo që po më dëgjon. Prapë le ta thirrin Prokuroria. Jam i bindur që Prokuroria do t’i ftojë për këtë temë, shpresoj që ajo direkt nuk është e implikuar, por ata që janë direkt të implikuar, zëvendësministër a sekretar, do të dalin para drejtësisë”, theksoi Haradinaj.
Ai foli edhe për një letër që ministri i ka dërguar kryeministrit.
“Tenderi është dhënë më 11 shtator, ditën kur ministri nuk ka qenë në Kosovë. Ka shumë argumente. Ndërsa Sekretari është emëruar më 4 shtator. Po flasim për dy javë, hiç më shumë. Ne sot e kemi aferën më të madhe korruptive. Mund të thuash që ligji e ka lejuar, por sillmi argumentet se çfarë ligji thotë se është sekret shtetëror blerja e gjellës së ushtarit? Kryeministri i Kosovës, ministri, Sekretari Permanent mund ta bëjë një marrëveshje me Qeverinë Amerikane që shkon në një vlerë prej 250 milionë për blerjen e mortajave të mençura, për blerjen e automjeteve taktike, të dronëve ushtarakë, këto janë që s’duhet të dihen nga armiku. Nuk mund të thuash sekret shtetëror kuzhina e ushtrisë”, deklaroi Haradinaj, teksa u shpreh i bindur se ai tender do të anulohet.