Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar sot ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.
Në këtë takim u diskutua rreth raporteve dhe marrëveshjeve bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme, si dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare.
Kryeministri Kurti theksoi përparimin ekonomik e demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si dhe potencialin që ka vendi ynë në fushën e informacionit dhe shërbimeve digjitale, dhe hapat e ndërmarrë në drejtim të tranzicionit energjetik, energjisë së ripërtërirë dhe efiçiencës energjetike.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Luksemburgut për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe rolin aktiv në fuqizimin e shoqërisë, nismat mjedisore, asistencën teknike, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes Agjencisë Zhvillimore LuxDev.
Ndryshe, Luksemburgu është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në vazhdimësi ka ndihmuar në fushën e ekonomisë, edukimit, shëndetësisë dhe sigurisë në Kosovë.