Ministrja e Tregëtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se Kosova ka arritur marrëveshjen për tregti të lirë me shtetet e EFTA-së, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Hajdari përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo i hap rrugë zhvillimit ekonomik të vendit.
“Pas katër raundeve negociata, të filluara në vitin 2022, kjo është një arritje e jashtëzakonshme për vendin, duke hapur kështu rrugën për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për ndërmarrjet, industritë dhe qytetarët nga të dyja palët. Marrëveshja përfshin fushën e tregtisë së mallrave dhe atë të shërbimeve”, ka shkruar Hajdari.
Ajo ka bërë të ditur se Kosova është i vetmi vendit nga rajoni që negocion tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-së.
“Marrëveshja e sotme shënon jo vetëm përfundimin e negociatave, por fillimin e një partneriteti më të fortë mes vendeve tona. Dhe siç dihet, vendet e EFTA-së kanë rëndësi strategjike për ekonominë e vendit”, ka shkruar ajo.