Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në cdo kohë dhe në çdo cep të territorit të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, dhe se këtë e ka detyrim kushtetues dhe ligjor.
Prania e pjesëtarëve të njësisë speciale në veri, Osmani ka thënë se nuk mund të quhet dërgim, meqë ky term përdoret vetëm nëse dërgohen forca në një shtet tjetër.
“Unë nuk do ta quaja dërgim sepse dërgim mund të thuhet vetëm nëse ne dërgojmë forca në një shtet tjetër. Policia e Kosovës ka të drejtë të jetë në çdo kohë dhe në çdo cep të territorit të Kosovës, e ka detyrim kushtetues dhe ligjor, e ka këtë mandat që të jetë prezente kudo. Pra, ne nuk dërgojmë polici, policia është atje sepse e ka detyrë të jetë në çdo cep të Kosovës. Është sikur të themi Shtëpia e Bardhë dërgoi forca policore në Nju Jork, natyrisht se nuk i dërgon sepse NYPD (Departamenti i Policisë së Nju Jorkut) është këtu”, ka shtuar Osmani.
Ajo ka shtuar se Policia është në cdo cep për të mbrojtur qytetarët, përfshirë edhe qytetarët serbë që jetojnë në veri.
“…rrjedhimisht edhe policia e Kosovës është aty ku e ka mandat që të jetë, ku e ka detyrë që të jetë dhe është aty mbi të gjitha për të mbrojtur qytetarët, përfshirë qytetarët serbë që jetojnë në veri, për t’i mbrojtur nga bandat serbe, bandat kriminale që udhëhiqen nga kriminelë që janë në listën e SHBA-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve tjera, nga banda kriminale të cilat kanë vrarë edhe serbë, të cilat djegin shtëpitë dhe makinat e serbëve”, ka thënë Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Osmani thotë se mund të bëhet akoma më shumë që komunikimi me komunitetin serb që jeton në Kosovë të jetë më i mirë, që të ketë edhe më shumë zhvillim ekonomik, që krijon vende të reja të punës.
“Por, nuk mund të ndodh integrimi duke i ndarë komunitetet, duke mos i lënë që të bashkëpunojnë, duke mos i lënë që të flasin me njëri-tjetrin. Pra, sa më shumë që ka bashkëpunim, sa më shumë që ka qasje te njëri-tjetri, sa më shumë që krijohen vende të punës ku edhe shqiptarët edhe serbët edhe turqit dhe të tjerët punojnë në një vend, aq më i lehtë është integrimi dhe aq më shumë të gjithë do ta kuptojnë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është projekt i përhershëm, projekt që do të mbetet aty përgjithmonë dhe nuk është diçka që vetëm do zgjasë disa vite dhe pastaj zhduket. Pra është shtëpia e përhershme e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie”, ka thënë tutje ajo.