Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka mbajtur sot konferencë të jashtëzakonshme, lidhur me ligjin që rregullon rolin e ushtruesit apo ushtrueses së detyrës në administratën shtetërore.
“Në qoftë se e shohim me një sy kritik nenin 35 të këtij ligji, ku përcaktohet ushtrimi i detyrës së ushtruesit së detyrës në institucione shtetërore, mund te konstatojmë se asnjë ushtrues detyre në pozitë të lartë në Administratë të Shtetit i cili ka mbushur një vit nuk mund të nënshkruajë asnjë dokument , për shkak se ligji në fjalë shprehimisht e kufizon mandatin në gjashtë muaj plus gjashtë muaj, në një vit. Pra secili apo secila që kanë mbi një vit mund të trajtohet në aspektin penal të shkeljes së ligjit”, thotë fillimisht Tahiri.
Lidhur me këtë, deputeti shprehet se Qeveria Kurti vazhdimisht ka udhëhequr vendin me ushtrues detyre, gjë që sipas tij përbën ‘rrezik për të gjitha vendimet që nënshkruhen nga ushtruesit e detyrës, të cilët janë në funksion mbi një vit, mund të bien në kundërshtim me ligjin, dhe mund të mos prodhojnë efekte juridike të palëve’.
“Çka duhet të dijë sot qytetari i Kosovës. Kjo Qeveri për një kohë të gjatë vazhdon ta udhëheq shtetin me ushtrues të detyrës. Të tri institucionet kryesore të vendit, Kuvendi, Presidenca, Kryeministria udhëhiqen me ushtrues të detyrës. Kur zbresim në Qeveri, pesë dikasteret kryesore të ekonomisë janë me ushtrues të detyrës”, shprehet Tahiri.
“Ajo që mund të them është se kohëzgjatja e funksionit është e kufizuar me këtë ligj, dhe rrjedhimisht nuk ekziston mundësia që me një akt ligjor siç është vendimi të zgjatet mandati, përtej atij që i ësht perceptuar me ligj”.