​Ja sa premtime kanë përmbushur kryetarët e komunave përgjatë këtij mandati

Aktuale

​Ja sa premtime kanë përmbushur kryetarët e komunave përgjatë këtij mandati

Më: 27 shtator 2024 Në ora: 11:29
Foto ilustrim

Nga 1 mijë e 816 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 42 për qind e tyre janë përmbushur. Kështu ka bërë të ditur instituti GAP, i cili ka prezantuar të dhënat mbi progresin e kryetarëve të komunave të Kosovës në përmbushjen e premtimeve zgjedhore deri në muajin qershor 2024.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, sipas këtij instituti, kësaj here dominon përmbushja e premtimeve në fushën e shëndetësisë dhe administratës, për dallim nga vitet e kaluara kur kryesisht dominimi në përmbushjen e premtimeve ka qenë tek fusha e infrastrukturës.

Blendi Hasaj nga ky Institut, ka theksuar se mandati aktual karakterizohet me një numër shumë më të lartë të premtimeve krahasuar me mandatet e mëhershme.

Hasaj: Mandati aktual karakterizohet me një numër shumë më të lartë të premtimeve

“Mandati aktual karakterizohet me një numër shumë më të lartë të premtimeve krahasuar me mandate e mëhershme. Në mandatin aktual të kryetarëve të komunave kemi të identifikuar 1 mijë 816 premtime, pra është dyfishuar numri i premtimeve nga kandidatët për kryetar...Ajo çfarë dallohet në vlerësimin e tanishëm, të tretin me radhë dhe të parafundit për këtë mandat që po hymë, është bërë një progres evident nga viti i kaluar, pra krahasuar me vlerësimin e fundit të cilin e kemi bërë, i kemi tani më shumë se 300 premtime shtesë që tani janë përmbushur. Mirëpo një vlerësim tjetër ka mbetur ndoshta pak më problematike në këtë fazë është se ende nuk ka filluar puna nga kryetarët dhe stafi për 421 premtime, i kemi rreth 421 premtime që ende nuk kanë filluar ndonëse e dimë që kanë mbetur kohë edhe një vit deri sa atyre të ju përfundoj mandati”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, analisti politik në Institutin GAP, Bekim Salihu ka treguar përqindjen e premtimeve të përmbushura dhe premtimeve që ende nuk kanë filluar të zbatohen nga kryetarët e komunave.

Ai u shpreh se për 23 për qind të premtimeve akoma nuk ka ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.

Salihu: 42 për qind e premtimeve janë përmbushur

"Nga 1 mijë e 816 premtime që kryetarët e komunave kanë dhënë në fushatën e kaluar zgjedhore, 42 për qind e tyre janë përmbushur, 17 për qind konsiderohen gjysmë të përmbushura, 18 për qind të premtimeve janë të filluara, ndërkaq 23 për qind e premtimeve akoma nuk ka ndonjë nismë në përmbushjen e tyre. Shprehur numerikisht 765 premtime janë përmbushur, 304 premtime konsiderohen gjysmë të përmbushura, 326 premtime konsiderohen të filluara apo është hasur ndonjë nismë konkrete në përmbushjen e tyre, ndërkaq 421 premtime akoma nuk ka asnjë nismë në përmbushje, që nënkupton që këto premtime konsiderohen si premtime që nuk kanë filluar”, tha Salihu.

Ndërkaq, ka shtuar se në administratë janë përmbushur 66 për qind e premtimeve, ndërsa, infrastrukturë 20 për qind.

Salihu: Dominon përmbushja e premtimeve në fushën e shëndetësisë dhe administratës

“Shikuar sipas fushave, administratë janë përmbushur 66 për qind e premtimeve, arsim 54 për qind, bujqësi 50 për qind, ekonomi 52 për qind, infrastrukturë 20 për qind, kulturë 45 për qind, shëndetësi 66 për qind, shërbime Publike 25 për qind, sociale 50 për qind, sport 36 për qind, urbanizëm 27 për qind. Bazuar në këto përqindje, rezulton se, ndryshe nga vitet e mëparshme që kësaj here dominon përmbushja e premtimeve në fushën e shëndetësisë dhe administratës, për dallim nga vitet e kaluara kur kryesisht dominimi në përmbushjen e premtimeve ka qenë tek fusha e infrastrukturës”, tha Salihu.

Ndërsa, Salihu ka theksuar se problemet më të mëdha tek Prishtina dalin të jenë në fushën e infrastrukturës.

Salihu: Problemet më të mëdha tek Prishtina dalin të jenë në fushën e infrastrukturës

“Kreu i Prishtinës ka përmbushur numrin më të madh të premtimeve në fushën e administratës, ku nga 8 premtime 5 janë përmbushur. Ndërkaq, ngecjet ose problemet më të mëdha tek Prishtina dalin të jenë në fushën e infrastrukturës ku nga 43 premtime të dhëna vetëm katër rezultojnë të përmbushura”, shtoi ai.

Ai po ashtu ka nënvizuar se në fushën e shëndetësisë, natyra e premtimeve që kryesisht rezultojnë të përmbushura gjatë kësaj periudhe ka të bëjë me modernizimin e pajisjeve, cilësinë dhe përgjegjësinë gjatë ofrimit të shërbimeve, kontrollet specifike mjekësore për raste dhe kategori të caktuara, e deri tek premtimi që do të përmirësojnë kushtet e punës dhe shërbimeve në ambientet e shëndetësisë primare.

Ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura është nga fusha e urbanizimit dhe infrastrukturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat