Përkundër kërkesës së fundit nga aleatët ndërkombëtarë ndaj Qeverisë së Kosovës që të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një gjë e tillë sipas analistëve politik nuk do të ndodh. Siç thonë ata, nëse kryeministri Albin Kurti do të dërgonte draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese, para zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të ishte vetëvrasje politike.
Analisti politik, Visar Ymeri, thotë për KosovaPress, se për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit, s’do të ketë asnjë hap konkret në drejtim të themelimit të Asociacionit, pavarësisht kërkesave të aleatëve perëndimor.
Ymeri: Për shkak të zgjedhjeve s’do të ketë hapa konkret për Asociacionin
“Edhe për shkak të zgjedhjeve mendoj se s’do të ketë hapa konkret edhe pse unë mendoj se Kosova është dashur t’i marrë hapat e vet shumë më herët...Nuk besoj se do të bëjë para zgjedhjeve zotëri Kurti pasi nuk e bëri as për Këshillin e Evropës, ishte e njëjta kërkesë, por prapë do të kërkohet për Këshillin e Evropës. Një gjasë e dytë për Kosovën për anëtarësim në Këshill të Evropës do të jetë prapë muaji maj 2025. Ambasadori gjerman e tha se kjo është në tavolinë bashkë edhe me kërkesën. Anëtarësimi i Kosovës është në tavolinë por nuk do të ndodh ky votim pa e nis procesin e themelimit të Asociacionit, që nënkupton dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese”, thekson Ymeri.
Një gjë të tillë nuk e pret as analisti tjetër politik, Artan Demhasaj, i cili deklaron për KosovaPress, se dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese në prag të zgjedhjeve, do të ishte vetëvrasje politike e Kurtit.
Demhasaj: Dërgimi tani i Asociacionit në Kushtetuese është vetëvrasje politike e Kurtit
“(Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese) Duket e pamundshme për shkak se do të ishte një goditje e madhe politike që partia që është në pushtet ia bënë vetës së saj. Një problem siç është Asociacioni, që LVV-ja e ka kritikuar shumë sa ka qenë në opozitë dhe tash në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë do të ishte një vetëvrasje e madhe politike për LVV-në. Ndoshta edhe presioni më i madh ndërkombëtarë po të vihej tash në drejtim të Kosovës unë mendoj se qeveria në krye me Albin Kurtin nuk pranon me implementu atë pikë të marrëveshjes”, thotë Demhasaj.
Ndërkaq, analisti, Artan Muhaxhiri, thotë se në muajt në vijim s’pret të ketë progres në dialog nga asnjëra palë, në kuptimin e zbatimit të marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit.
Muhaxhiri: S’ka vullnet për t’i zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit
“Dialogu është krejtësisht i bllokuar dhe si i tillë do të mbetet edhe për një kohë të gjatë derisa s’do të ketë vullnet as nga Kosova dhe as nga Serbia që të bëhen hapa të rëndësishëm. Dialogu është shndërruar në një formalitet, ku kohë pas kohe ka ndonjë takim por asgjë substanciale. Të dy palët nuk kanë vullnet që t’i pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Aty është e gjithë baza dhe me këto lojërat mediokre ballkanike s’mund të ketë asnjë progres të mirëfilltë”, deklaron Muhaxhiri.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, gjatë kësaj jave kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të bëjë hapa konkret për themelimin e Asociacionit, duke dërguar draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja në Gjykatë Kushtetuese.