FSK dhe Ajova, më të fortë së bashku

Aktuale

FSK dhe Ajova, më të fortë së bashku

Më: 28 shtator 2024 Në ora: 11:16
Foto nga takimi

Në kuadër të partneritetit që ka Forca e Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Ajovas së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe mbi bazën e udhëzimeve të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe General Major Steve Osborn, Adjutant General, një delegacion nga shtabi i Ajovas ka qëndruar në vizitë një javore në FSK, duke zhvilluar vizita e takime të përbashkëta me shtabin e FSK-së, për të parë nga afër zhvillimin dhe të arriturat që ka bërë ushtria e Kosovës, në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve ushtarake.

Delegacioni i lartë nga Ajova kryesuar nga zëvendëskomandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral brigade McClintock dhe Shefja e Shtabit të Gardës Kombëtare Ajrore të Ajovës, Gjeneral brigade Stephanie Samenus, gjate kësaj vizite kanë realizuar takime në ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Bashkim Jashari, transmeton Klankosova.tv.

“Delegacioni ka vazhduar më vizitën në Shtabin e Përgjithshëm, Akademinë e Mbrojtjes, Njësinë e Kibernetikës, Komunikimit si dhe vizitën në Komandën e Forcave Tokësorë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Gjatë vizitës delegacioni i Ajoves është informuar mbi procesin e planifikimit të trajnimeve, operacioneve, rekrutimit dhe mbajtjes së personelit si dhe konceptin e mbështetjes logjistike. Po ashtu delegacioni është informuar edhe mbi procesin e ekzekutimit të planit 3 vjeçare të bashkëpunimit më Ajovën në fushën e manovrës, zhvillimit të nënoficerëve (NOF), qëndrueshmërisë, kibernetikës dhe mjekësisë.

Kjo vizitë konfirmon bashkëpunimin e ngushte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik, si përkrahësi kryesor në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat