Kryeministri Albin Kurti u mirëprit në një takim në New York nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim, ata diskutuan “mbi fuqizimin e bashkëpunimit dhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve”.
“Kryeministri Kurti theksoi avantazhet që ofron Kosova si destinacion i përshtatshëm dhe i volitshëm për investime dhe ambientin e të bërit biznes, duke i ftuar kompanitë që të vijnë ta njohin më gjerë vendin tonë e të investojnë në fusha me interes të përbashkët”, thuhet më tej në njoftim.
Përgjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti i falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Kurti e njohu Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan edhe me përpjekjet e avancimin e shtetit drejt energjisë së gjelbër e të ripërtërishtme, veçanërisht ankandin e suksesshëm të zhvilluar e ato të ardhshme që priten këtë vit, si një mundësi e mirë për investitorët.