Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian të Futbollit të U-21 për meshkuj në vitin 2027, lajm ky u bë i ditur nga agjencia “Associated Press“.
E këtë veprim të Federatës Shqiptare po e quan skandal redaktori i sportit në gazetën "Bota sot", Kemajl Goca.
"Është një skandal i madh kjo çfarë po bën Armand Duka. Është e paprecedent, duke e ditur politikën shoveniste te shtetit serb karshi Republikës së Kosovës. Jo vetëm me kaq, Shqipëria e ka të freskët ende datën 14 tetor të vitit 2014 kur në Beograd bandat serbe futen në fushë dhe sulmuan me karrige futbollistët e Shqipërisë, për çka u ndërpre ndeshja në minutën e 41-të dhe CAS (Komisioni i Arbitrazhit Sportiv) vendosi me rezultat zyrtar 0:3 në favor të kombëtares kuqezi", shprehet Goca.
Sipas tij, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi duhet të reagojë, në të kundër kjo nënkupton se ai pajtohet me veprimet e Armand Dukes.
"Duka është duke treguar një pafytyrësi kur dihet se para 25 viteve, populli shqiptarë i Kosovës ka përjetuar gjenocidin nga regjimi, për çka intervenoi edhe NATO duke e bombarduar Beogradin dhe tërë territorin e Serbisë, për ta dëbuar okupatorin serb nga Kosova. Nga ana tjetër, Agim Ademi si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, duhet që të kërkojë me këmbëngulësi nga Armand Duka që Federata e Futbollit Shqiptar mos të jetë pjesë e bashkëpunimit me Federatën e Futbollit të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 në vitin 2027. Heshtja e Agim Ademit, i bie që është dakord me Armand Dukën, kryetarin e Federatës së Futbollit Shqiptar. Kjo është e habitshme. Agim Ademi si kryetar e ka rastin që të tregojë veten karshi Dukës!", shton Kemajl Goca, redaktor i sportit në gazeten "Bota sot".
Për fund, Goca thotë se bashkëpunimi me Serbinë, është një marrëzi që nuk i falet Shqipërisë.
"Vetëm po e presim ditën kur Duka do të dal në fotografi me Dragan Xhajqin, ky i fundit dikur e ka pas shef Zhelko Razhnatoviqin – Arkan në Cërvena Zvezdë të Beogradit, kriminelin e luftës! Xhajiqi sot kryetar i Federatës së Futbollit të Serbisë, në fillim të qershorit të vitit 2020, së bashku me Zvezdan Terziqin, e nderuan me fanellën e Zvezdës Dragan Vasilkoviq, i nohur si famkeqi Kapetan Draganin – kriminel i luftës! Dhe sot Duka bashkëpunon me ta për organizimin e Kampionatit Evropian U21. Kjo është një marrëzi dhe e pafalshme. Duka sot del e krekoset, madje krenar që me Federatën e Futbollit të Serbisë do të organizojnë Kampionatin Evropian U21. Në Shqipëri dhe në Kosovës duhet të bëhen të gjitha përpjekjet, që të dështojë ky mision i Dukës që e ka në bashkëpunim me Federatën serbe", përfundon Kemajl Goca, redaktor i sportit ne gazetën "Bota sot".