Testime, vlerësime, ngjyrosje e riparime. Këto veprime e edhe të tjera u ndërmorën gjatë kësaj vere të 2024-ës në Urën e Ibrit në Mitrovicë.
Hapja e kësaj ure për qarkullimin e veturave ishte çështje e diskutimit nga vendorët e ndërkombëtarët.
E diskutimet për po këtë çështje, po vazhdojnë ende në mes dy palëve.
Është po ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ai i cili konfirmoi gjatë një interviste në “Kallxo Përnime” që hapja e urës do të ndodhë, e momenti se kur do të ndodhë ende nuk dihet.
Sveçla tha se bashkë me ndërkombëtarët, aleat të Kosovës, është duke u biseduar hapja e Urës së Ibrit.
Madje, ministri tha se tashmë nuk po diskutohet se a duhet apo jo të hapet ura, por po diskutohet se kur do të ndodhë kjo.
“Aty jemi duke bisedu me aleatët tanë, jemi duke bisedu edhe me KFOR-in, aty nuk është çështje e diskutimeve a duhet të hapet ura, apo nuk duhet të hapet ura. Është çështje e momentit kur duhet të hapet ura e prandaj edhe po diskutojmë” – tha Sveçla.
Ai gjithashtu tregoi se edhe për veprimet e më hershme mbi këtë urë, testime e veprime të tjera, për të gjitha ishte në dijeni misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.