Polemika mes pozitës e opozitës rreth kompanisë që furnizon me ushqime Policinë e FSK-në

Aktuale

Polemika mes pozitës e opozitës rreth kompanisë që furnizon me ushqime Policinë e FSK-në

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 08:23
Foto ilustrim

Intervista e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në “Kallxo Përnime”, ka ngjallur përplasje mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë intervistës, ministri u ballafaqua me akuzat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me kontratat njëburimore të MPB-së.

Ministri u pyet lidhur me një kontratë në vlerë 15 milionë euro e cila, sipas Abdixhikut, u dha përmes negocimit.

Sveçla tha se detajet e kësaj kontrate nuk i di por për nënshkrimin e kontratave njëburimore ai e dha një arsye.

“Në një situatë kur i gjithë globi është në tension, kur përmenden edhe bombat nukleare, kur ke atak të drejtpërdrejtë të një shteti armik dhe t’i punon për t’u mbrojtë, me i pasë të gjithë tenderët publikë me i tregu edhe Serbisë edhe Rusisë të gjitha këto gjëra a?” – tha ai.

E kjo deklaratë bëri që deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili të dalë me një reagim, në të cilin ajo përmend edhe “pasulin e gullashin” më të cilin ushqehen ushtarët e policët e Kosovës.

Pasulin dhe gullashin po e fshehni prej Rusisë a?” – ishte pyetja e Kica-Xhelilit drejtuar pozitës.

Nuk vonoi shumë dhe dy deputetë nga radhët e LVV-së i dolën krah ministrit e iu kundërpërgjigjën LDK-së.

Hykmete, Doarsa e ti Rukiq, po edhe ju të tjerë reagues, nuk keni me mujt me e helmu ushtrinë duke i përfitu milionat kompani të afërta me ju” – tha Salih Zyba i Vetëvendosjes.

Pothuajse të njëjtin mendim e pati edhe deputeti tjetër i LVV-së, Enver Dugolli.

“Për më shumë këta qëllimisht bëhen sikur nuk e kuptojnë që ushqimi në ushtri është çështje e ndjeshme dhe sigurie, dhe harrojnë sepse pikërisht kjo kompani (përveçse një varg parregullsish të evidentuara me vërejtje serioze) kishte helmuar kohë më parë me ushqim një numër ushtarësh” – theksoi Dugolli.

Por, e njëjta kompani për të cilën folën me rrotulla deputetët e LVV-së fitoi tender edhe gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.

Policia e Kosovës më 23.11.2023 kishte nënshkruar kontratën për të cilin ishin parashikuar 5.5 milionë euro për furnizim, përgatitje dhe servim të ushqimit për nevojat e Policisë. Kontrata ishte nënshkruar me kompaninë “Beni Dona” me një kohëzgjatje prej 36 muajve apo tre vjetëve.

KALLXO.com kontaktoi me dy deputetët e LVV-së për këtë çështje.

Salih Zyba tha se përvojat e tij me këtë kompani në të kaluarën jo shumë të largët nuk janë edhe shumë të mira. Mirëpo, Zyba vlerëson që mund të ketë ndryshuar shërbimi deri më tani.

Mund të jetë e njëjta kompani, por nuk do të thotë që është shërbimi i njëjtë” – tha Zyba.

Unë jam i bindjes dhe i mendimit që duhet të shqyrtohet secila kontratë që konsiderohet jo e sigurt. Tash për tash unë nuk e konsumoj, mirëpo sa i përket çështjes aktuale ankesës që kushdo që e ka ngritë, ankesa prej nga vjen me persona zhvatës të përgjegjshëm në emër të gazetarisë ose në emër të pushtetit të dikurshëm mua më bën me dyshu që ata janë vetëm profitera dhe kamuflues të kontratave të mëparshme, kështu që duhet të rishikohen këto tema, pa i përjashtu personat që i kam përmend vet në postim, ose pa i përjashtu disa gazetarë të papërgjegjshëm” – u shpreh tutje deputeti.

Madje, ai theksoi se rezervohet të flasë për kompaninë, pasi “nuk jam as organ i ndjekjes e as i hetimit”, duke thënë se fton organet përkatëse të merren me këtë punë.

E kolegu i Zybës, Enver Dugolli, kur u pyet se pse kompania për të cilën kanë pakënaqësi vazhdon edhe gjatë qeverisjes së LVV-së të ushqejë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës e të Policisë, tha se “nuk ka koment për një gjë të tillë”.

Unë nuk kam koment për një gjë të tillë, pasi ju e dini që ka pasë edhe falsifikime të dokumentacioneve sa i takon atyre fazave për të marrë tendere, ka pasë raportime se janë falsifiku dokumente nga Gjermania” – tha Dugolli.

Tutje deputeti tha se kjo kompani pavarësisht kësaj ka gjetur forma e mënyra që të depërtojë edhe më tej.

“Uroj që të monitorohet e inspektohet sa më shumë e sa më korrekt për të ardhur te një rezultat sepse ushqimi nuk është lluks, është i nevojshëm dhe i përditshëm” – u shpreh Dugolli.

Deputeti nga radhët e LVV-së tha se edhe në Policinë e Kosovës ka pasur ankesa për shkak të kualitetit të dobët të ushqimit e për papastërti që ai thotë se vijnë nga kjo kompani.

Dugolli thotë se nuk e di pse menaxherët e kontratave nuk i kanë evidentuar këto probleme me kohë edhe t’i paraqesin.

“Megjithatë unë mendoj që prej praktikës në FSK kjo kompani lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë dhe kualitetit të ushqimit sepse ka pasë një varg ankesash nga ushtarët, nënoficerët, oficerët. Madje, mund të them që si pasojë e kualitetit të dobët dhe të dyshimtë një numër i madh i ushtarëve kur i kanë bërë analizat kanë dalë me yndyrë në gjak” – vazhdoi i njëjti.

Sipas Dugollit, kompania në fjalë kaherë i ka përmbushur pritjet që të mos jetë operator që ofron shërbime të tilla të ushqimit për shkak se nuk ka treguar seriozitet dhe ka abuzuar me kontratat që i kanë nënshkruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat