Nga arrestimi i Fetah Rudit tek vrasja e Ramiz Hoxhës e Selman Binishit, Rrahmanaj jep dëshminë e tij në Hagë

Aktuale

Nga arrestimi i Fetah Rudit tek vrasja e Ramiz Hoxhës e Selman Binishit, Rrahmanaj jep dëshminë e tij në Hagë

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 11:43 Përditësuar në ora: 15:24 më 30.09.2024
Ahmet Rrahmanaj

Dëshmitari flet për persona të ndaluar nga UÇK-ja disa prej të cilëve ishin gjetur të vdekur, e që janë quajtur kolaboracionistë

Dëshmitari Ahmet Rrahmanaj gjatë dëshmisë së tij të hënën në Hagë, ka folur për disa persona të cilët i njeh, e që sipas tij janë arrestuar dhe ndaluar nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e që disa prej tyre edhe janë gjetur të vdekur.

Në një deklaratë të mëhershme për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmitari kishte folur për një roje pylli në Komunën e Klinës, që ishte vrarë me pretekstin se ishte kolaboracionist. Rrahmanaj tha se ky person e kishte emrin Avdyl Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për mua nuk ka qenë kolaboracionist, për arsye se e kam njoftë personalisht, por ndoshta për arsye që ushtronte funksionin e rojtarit të malit në atë kohë ku ishte i vetmi dhe nga të rrallët i punësuar pranë autoriteteve të dhunshme të asaj kohe të Serbisë”, tha dëshmitari.

Rrahmanaj po ashtu tha se nuk e di kohën se kur është vrarë ky person, por mendohet nga fundi i ‘98-ës ose fillimi i ‘99-ës. Ndërsa se kush e ka vrarë Gashin, dëshmitari tha se nuk ka njohuri.

Ai deklaroi se një person me emrin Fetah Rudi e njihte dhe se ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktivitet të cilin e ka ushtruar para, gjatë dhe pas luftës.

Ai shtoi se 90 % të ushtarëve të UÇK-së, kanë qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Dëshmitari tha se ka dijeni se Rudi ishte ndaluar nga UÇK-ja.

“Është periudha kur unë nuk kam qenë polic ushtarak, por me rrëfimin e Fetahut si mik, po. E kam ditur”, tha Rrahmanaj, duke shtuar se një gjë të tillë ai ia kishte thënë në korrik të 1999-ës kur dëshmitari kishte ardhur në Kosovë.

“Fetah Rudi më ka treguar se pas një problemi që ka ndodhur në mes disa ushtarëve të UÇK-së, Fetahun e kanë shoqëruar dhe arrestuar. Dyshimet e tij janë që për shkak të aktivitetit të tij politik për arsye se ai bënte lëvizje në atë kohë edhe pse ishte ushtar i UÇK-së, ai udhëtonte drejt Prishtinës për të qenë pjesë e mbledhjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha dëshmitari.

Pas arrestimit, Rrahmanaj tha se Rudin e kanë dërguar në fshatin Bubël.

“Një shtëpi aty ku kanë qenë si Shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është mbajtë në njërën nga banjat aty të shtëpisë”, tha dëshmitari.

Rrahmanaj theksoi se Rudi ishte arrestuar së bashku me një kushëri të dëshmitarit, i cili ishte akuzuar për vjedhje. Sipas tij, Fetah Rudi i ka thënë atij që e kanë dërguar në një gjyq ushtarak, e pastaj e kanë lënë të lirë.

Ndërsa për një person të quajtur Ramiz Hoxha, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në që është quajtur si kolaboracionist serb, i cili është vrarë edhe pse nuk ka qenë kolaboracionist.

“Pas një kërkesë të fshatarëve të fshatit Bellanicë që të dalin t’i mbledhin të korrat e vjeshtës, në atë kohë misrin dhe pasulin, po nuk ishin të lirë që të kryenin këtë aktivitet për arsye se policia serbe ishin shumë afër fshatit ku ishin arat me të mbjella. Ata morën vendim që të shkojnë të bisedojnë dhe t’i njoftojnë ushtrinë Serbe që do t’i kryejnë këto punë në arat e tyre. Pasi kanë ngjarë këto bisedime dhe kanë fillu t’i mbjellin të korrat e vjeshtës, është marrë Ramiz Hoxha”, tha dëshmitari.

Sipas Rrahmanajt, Hoxha e ka luajtur rolin e përkthyesit të banorëve të fshatit pasi që kishte jetuar në Slloveni dhe kishte njohuri të gjuhës serbe.

Sipas tij, këtë gjë ia kishin konfirmuar dëshmitarët, banorët e fshatit, vëllai i Hoxhës dhe djali i tij. Tha se Ramiz Hoxhën e kanë marrë nga xhamia.

“Thuhet se ata kanë shkuar në xhaminë e fshatit ku ai ka qenë duke kryer ritualin ditor dhe kanë kërkuar hoxhën e fshatit dhe Ramizi del aty dhe thotë që unë kam qenë përkthyesi në atë takim dhe mundem t’ua shpjegojë. Ramiz Hoxhës i kanë thënë që duhet të vish me ne. Flitet që ka kërku edhe vëllai i tij që të shkojë me atë, pro ata i kanë thënë që ti nuk mundesh”, tha dëshmitari, duke shtuar se kjo xhami gjendet në fshatin e Ramiz Hoxhës.

Ai tutje shtoi se thuhet që Ramiz Hoxhën e kanë futur në bagazhin e makinës dhe kur ka kërkuar vëllai i tij që të shkojë më atë, anëtarët e UÇK-së i kanë thënë që nuk ka vend për atë.

Dëshmitari tha se për makinën flitet që ka qenë e UÇK-së, por që nuk dihet me saktësi për shkak se sipas tij njerëzit kanë qenë të maskuar.

Po ashtu, Rrahmanaj tha se në bagazh të makinës ka qenë edhe një person tjetër, i cili është gjetur i vdekur bashkë me Ramiz Hoxhën.

“Ishte edhe një tjetër njeri në të dhe ai është gjetur i vdekur bashkë me Ramizin”, tha dëshmitari, duke shtuar se ky person ishte Selman Binishi.

Dëshmitari deklaroi se pas 10 minutave këta persona janë gjetur të vdekur një apo dy kilometra larg xhamisë. Ai thotë se trupat i gjeti djali i Ramizit dhe një bashkëfshatar i tij.

“Thuhet se i kanë gjetur në çastet e fundit”, tha dëshmitari, duke shtuar se Ramiz Hoxha nuk ishte kolaboracionist.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me mbrojtësin e viktimave, gjë e cila iu lejua nga trupi gjykues.

Dëshmitari Rrahmanaj ankohet për trajtimin që i është bërë në Hagë

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Ahmet Rrahmanaj kërkoi që t’i ndahet kohë që të flas lidhur me procesin si dhe trajtimin që i është bërë atij në Hagë, në mënyrë që ta paraqes si shqetësim çështjen e trajtimit.

“Kam dëshirën që një prej kohëve të ndahet që ta them fjalën time edhe për këtë proces e në veçanti të them fjalën time për trajtimin tim këtu. Kam një ankesë dhe kërkoj prej kohës që të ma ndani që të paraqes shqetësimin tim”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit Rrahmanaj se do t’i jepet hapësira e nevojshme pas pyetjeve të palëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitari tha se ai ka qenë ushtar i thjeshtë dhe se në kohën sa ishte pjesë e UÇK-së nuk e dinte që kishte një Shtab të Përgjithshëm. Tha se në shtator të 1998-ës ishte larguar nga Kosova për në Slloveni deri në korrik të 1999-ës.

Dëshmitari Rrahmanaj tha se prej vitit 1991-’92 kanë filluar që të bëjnë kujdestari të fshatit e po ashtu secili fshat ishin mobilizuar për luftë dhe mbrojtje të familjeve të tyre. Tha se gjatë periudhës së prillit të ’98-ës nuk kanë pasur hierarki.

“Derisa ishim të vetorganizuar, atëherë nuk kishim përgjegjësi për t’i raportuar dikujt më lartë. Ne ishim ata që kishim bashkëpunu me njëri-tjetrin dhe vendosshim ne si individë. Kjo është e saktë”, tha Rrahmanaj.

Ai pohoi se nuk ka pasur komunikim me fshatrat e tjera, se kanë qenë vullnetarë dhe se nuk i kanë raportuar askujt për veprimet e tyre.

Rrahmanaj pohoi se pjesë e Policisë Ushtarake ishte bërë në qershor të 1998-ës dhe se udhëheqës ishte Jakup Hoti pasi sipas tij, ai ishte më i përgatitur dhe më në moshë.

Dëshmitari tha se Hoti nuk ka qenë i obliguar që të raportojë diku dhe se raportimet janë bërë vetëm mes atij, Hotit dhe personit tjetër që ishin pjesë e Policisë Ushtarake në Zonën e Malishevës.

Ndërsa, për rastet e kolaboracionistëve të cilësuar nga UÇK-ja që foli sot në Hagë, Rrahmanaj tha se vetëm i kishte dëgjuar pasi kishin ndodhur kur ishte larguar nga Kosova.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të viktimave, avokatit Simon Laws, dëshmitari tha se Malisheva sipas mendimit të tij ka qenë vend i sigurt për serbë civilë, ndërsa për forcat serbe jo.

Rrahmanaj theksoi se nuk ka dijeni që disa burra serbë që i kanë dërguar në Malishevë dhe i kanë vrarë pasi i kanë larguar nga atje.

“Këtë nga ZPS-ja e kam dëgju. Kurrë më parë”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk e ka ditur që ata kanë qëndruar por që janë gjetur trupa është në dijeni.

“S’kisha dëgjuar ndonjëherë që këta burra janë mbajtur në Malishevë. Për pjesën që gjenden kam dëgjuar përmes mediave dhe aty kam kuptuar që janë gjetë viktima serbe të vrarë. Nga kanë ardhë nuk e di”, tha dëshmitari.

Rrahmanaj u pyet se a e kishte pyetur Jakup Hotin, Haxhi Shalën ose Isni Kilajn se a janë mbajtur burra serbë në Malishevë, të cilët më pas janë vrarë.

“Haxhi Shalën nuk kam pas rastin ta pyeti për shkak se kemi pas dallime edhe në luftë edhe në politikë. S’kam pas rast”, tha dëshmitari, duke shtuar se as Jakup Hotin nuk e ka pyetur.

Dëshmitari tha se Isni Kilajn e kishte deri diku shok për shkak që sipas tij politika i ka ndarë. Tha se nuk është në etikën e tij që të pyes dhe të marrë informata për sipas tij “gjëna koti” dhe gjëra që atij s’i përkasin.

ZPS: Dëshmitari Ahmet Rrahmanaj do të flas për persona të ndaluar në Malishevë

Pas dëshmitarit të 92-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 93-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS, Ahmet Rrahmanaj i cili mban kodin 04278, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ky prokuror, dëshmitari ka qenë pjesë e UÇK-së dhe do të flas për persona të ndaluar në Zonën e Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04278 ka qenë anëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së në njësitin “Lumi”. Ai do të jep të dhëna për veprimtarinë gjatë luftës, si ka funksionuar kjo njësi dhe persona që janë mbajtur të ndaluar në Zonën e Malishevës”, tha Halling.

Dëshmitari pranoi se kanë dhënë leje për armë në mënyrë që të mos lëvizët me armë nëpër civil.

“Lejet i ka lëshuar secila pikë ku ata kanë qenë kujdestar. Unë po them që përveç që ka qenë kërkesë e imja si polic ushtarak që ushtarët që lëvizin me armë, prezent të kenë leje ku përfshihet edhe numri i armës që bartë për arsye që të mos ketë keqpërdorime me armë gjatë asaj periudhe”, tha dëshmitari Rrahmanaj.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ose dy ditë. Sipas tij, nja kjo kohë, një orë e 20 minuta i duhen Prokurorisë, mbrojtësit të viktimave rreth 20 minutave. Ndërsa për mbrojtjen e të akuzuarve janë parashikuar rreth pesë orë.

U pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për organet e hetuesisë së bashku me materialet përcjellëse.

-----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04590 dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancë private, pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk, ku sipas përmbledhjes se lexuar nga ai, ky dëshmitar është ndaluar në 1998-ën në një bazë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas ZPS-së, në vitin 1998 dëshmitari ishte civil shqiptar i Kosovës kur ishte ndaluar në një bazë të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit”, ka thënë prokurori Mihailzcuk.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e që nga kjo kohë, 40 minuta janë ndarë për ZPS-në, ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen rreth dy orë.

Kurse, rrjedha e seancës nuk dihet përveç asaj që u dëgjua betimi solemn i dëshmitarit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat