Ahmet Rrahmanaj, dëshmitari i 93-të i Speciales, ZPS: Do të flas për persona të ndaluar në Malishevë

Aktuale

Ahmet Rrahmanaj, dëshmitari i 93-të i Speciales, ZPS: Do të flas për persona të ndaluar në Malishevë

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 11:40 Përditësuar në ora: 12:47 më 30.09.2024
Ahmet Rrahmanaj

ZPS: Dëshmitari Ahmet Rrahmanaj do të flas për persona të ndaluar në Malishevë

Pas dëshmitarit të 92-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 93-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS, Ahmet Rrahmanaj i cili mban kodin 04278, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ky prokuror, dëshmitari ka qenë pjesë e UÇK-së dhe do të flas për persona të ndaluar në Zonën e Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04278 ka qenë anëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së në njësitin “Lumi”. Ai do të jep të dhëna për veprimtarinë gjatë luftës, si ka funksionuar kjo njësi dhe persona që janë mbajtur të ndaluar në Zonën e Malishevës”, tha Halling.

Dëshmitari pranoi se kanë dhënë leje për armë në mënyrë që të mos lëvizët me armë nëpër civil.

“Lejet i ka lëshuar secila pikë ku ata kanë qenë kujdestar. Unë po them që përveç që ka qenë kërkesë e imja si polic ushtarak që ushtarët që lëvizin me armë, prezent të kenë leje ku përfshihet edhe numri i armës që bartë për arsye që të mos ketë keqpërdorime me armë gjatë asaj periudhe”, tha dëshmitari Rrahmanaj.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ose dy ditë. Sipas tij, nja kjo kohë, një orë e 20 minuta i duhen Prokurorisë, mbrojtësit të viktimave rreth 20 minutave. Ndërsa për mbrojtjen e të akuzuarve janë parashikuar rreth pesë orë.

U pranuan në prova materiale të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për organet e hetuesisë së bashku me materialet përcjellëse.

-----

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04590 dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancë private, pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk, ku sipas përmbledhjes se lexuar nga ai, ky dëshmitar është ndaluar në 1998-ën në një bazë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas ZPS-së, në vitin 1998 dëshmitari ishte civil shqiptar i Kosovës kur ishte ndaluar në një bazë të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit”, ka thënë prokurori Mihailzcuk.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e që nga kjo kohë, 40 minuta janë ndarë për ZPS-në, ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen rreth dy orë.

Kurse, rrjedha e seancës nuk dihet përveç asaj që u dëgjua betimi solemn i dëshmitarit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat