Prokuroria Themelore në Pejë mëngjesin e së premtes ka zhvilluar një aksion kundër trafikimit të drogës, dhe ka arritur të sekuestrojë mbi një ton substancë narkotike në vlerë rreth 5 milionë euro.
Zv.Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli ka deklaruar se në rastin e Pejës janë gjetur mbi 2 ton narkotikë, të llojit mariuanë.
“Vlera është publikuar në vlerën minimale që mund të shitet jashtë Kosovës. Fillimisht kemi menduar se ka qenë mbi 1 ton narkotik. Pas bërjes së tërësishme së narkotikëve, i cili është sekuestruar rezulton se janë 1035 gram të sekuestruara. Ndërsa edhe 2850 bimë të shkatërruara, dhe i përpjesëtojmë vetëm me gjysmë kilogrami, prap sasia është më e madhe se 2 ton. Ne jemi të bindur se ka qenë mbi 2 ton dhe vlera mbi 5 milionë euro”, deklaroi Qavolli.
Qavolli shtoi se gjashtë persona janë në kërkim nga Policia e Kosovës, poashtu ka edhe shtetas të Shqipërisë.
“Gjatë patrullimit që bënë Policia e Kosovës dhe me njoftimin e qytetarëve. Zona malore, vështirë e qasshme, e rrethuar me gjemba, me tela. Ka qenë shumë e vështirë. Ata kanë rrezikuar jetën e tyre për zbardhjen e këtij rasti. Bazë informacioneve njëri nga rastet më të mëdha. Rasti është emërtuar si “Vera 2024”. E dijmë se kush janë disa prej personave, por pritet arrestimi. Gjashtë persona janë në kërkim. Ka edhe shtetas të Shqipërisë. I arrestuar vetëm një person. I është caktuar një muaj paraburgim. Ka qenë mirëmbajtës dhe ka sjellë produktin e narkotikit”, tha Qavolli.