Për dhe kundër bashkimit të opozitës serbe në Kosovë dhe në Serbi

Aktuale

Për dhe kundër bashkimit të opozitës serbe në Kosovë dhe në Serbi

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 18:39
Pamje nga Mitrovica e Veriut.

Partitë opozitare në Serbi do të mbështesnin një politikë “autoktone” të serbëve në Kosovë, e cila do të merrej me “interesat e vërteta” të komunitetit, ndërsa “selinë nuk do ta kishte as në Beograd e as në Prishtinë”.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë Millija Bishevac nga Zubin Potoku, i cili bashkë me Branimir Stojanoviqin nga Graçanica formuan, vitin e kaluar, partinë Lëvizja Popullore Serbe.

Të dy ata janë kritikë të politikës së udhëhequr nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më 28 shtator në Beograd, ata iu bashkuan bisedimeve që zhvilluan disa politikanë dhe aktivistë nga Kosova me disa përfaqësues të partive opozitare në Serbi.

Këto bisedime i organizuan lëvizjet nga Kosova: Këshilli Kombëtar Serb, Forumi Kombëtar Serb dhe Lëvizja Popullore e Atdheut.

“Lista Serbe nuk i ka përfaqësuar apo mbrojtur interesat e popullit serb [në Kosovë] për një kohë të gjatë, kështu që është e nevojshme të formohet një politikë e re që mund t’i përfaqësojë interesat e popullit tonë”, thotë Bishevac.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Zoran Llutovac, tha se është e nevojshme të formohet një alternativë politike ndaj Listës Serbe dhe se takimi i 28 shtatorit ishte një shenjë për këtë.

Megjithatë, Aleksandar Arsenijeviq, nga Demokracia Serbe në Kosovë, nuk e mbështet idenë që opozita në Serbi “të krijojë një listë të re serbe” dhe thotë se përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë duhet të luftojnë vetë për të drejtat e tyre.

“Kam frikë se ndonjë listë tjetër serbe, e mbështetur nga opozita apo dikush tjetër, mund ta bëjë të njëjtën gjë në terren”, thotë Arsenijeviq.

Partitë politike të serbëve në Kosovë e akuzojnë Listën Serbe se nuk i mbron interesat e komunitetit serb, se nuk punon për t’i përmirësuar kushtet e jetesës, se tërhiqet nën presionin e Beogradit dhe se zyrtarët e saj janë të korruptuar.

Opozita në Serbi, po ashtu, nuk e përkrah politikën ndaj Kosovës, të udhëhequr nga regjimi aktual. Disa parti konsiderojnë se Beogradi zyrtar “e dorëzoi” Kosovën me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve.

Kush do të ishte “alternativë” e Listës Serbe?

Bishevac nga Zubin Potoku thotë se Lëvizja Popullore Serbe është e hapur për bashkëpunim me këdo që kundërshton politikën e Listës Serbe.

“Ne jemi absolutisht të gatshëm të bisedojmë me të gjithë, të gjejmë interesa të përbashkëta. Ky është edhe vullneti i partive të tjera politike”, thotë Bishevac për Radion Evropa e Lirë.

Përveç Lëvizjes Popullore Serbe, kundër politikës së Listës Serbe në Kosovë deklarohen edhe anëtarët e Demokracisë Serbe, në krye të së cilës është Aleksandar Arsenijeviq, dhe të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e cila udhëhiqet nga Nenad Rashiq, aktualisht ministër në Qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Rashiq nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se si e sheh bashkimin e mundshëm të aktorëve politikë në luftën kundër politikës së Listës Serbe, ndërsa Arsenijeviq nuk beson se ideja mund të jetë e suksesshme.

“Nëse do të donim t’ua rrëzonim autonominë përfaqësuesve autoktonë serbë në Kosovë, do të kishim kërkuar mbështetjen e autoriteteve, sepse nuk ishim në Listën Serbe. Nëse kërkoni mbështetje nga Beogradi, autonomia vritet. Kjo nuk është në politikën tonë. Për ne është e rëndësishme mbështetja e qytetarëve”, thotë Arsenijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse ishte i ftuar, ai nuk shkoi në bisedimet me opozitën në Beograd, për shkak se “nuk kishte agjendë të qartë”.

Sipas tij, deputetët e Demokracisë Serbe duhet të jenë vazhdimisht në terren në Kosovë.

Ai thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë, por se “nuk dëshiron të ketë vasalë”. Shton se nuk do të shkonte as në takim me autoritetet nga Serbia, nëse do të merrte ftesë të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Listës Serbe me pyetjen se si i sheh bisedimet mes serbëve nga Kosova dhe opozitës në Serbi, por nuk mori përgjigje.

Lista Serbe, aktualisht, ka nëntë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe udhëheq gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Serbët në Kosovë, të instrumentalizuar dhe margjinalizuar

Në veri, ajo e humbi pushtetin, pasi kryetarët e komunave atje dhanë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.

Aktivisti politik nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq, beson se Qeveria në Serbi do të mbajë tani një takim me serbët “besnikë” nga Kosova, për të parë se kush është realisht kundër politikës që ka udhëhequr deri më tani Lista Serbe.

“Do të tentojnë të krijojnë një raport të barabartë me opozitën në seancën e Kuvendit [të Serbisë për Kosovën]. Tani, ata [pushtetarët] janë në disavantazh, sepse deputetët e opozitës do të mund të thonë se kemi biseduar me serbët nga Kosova dhe ata na kanë kërkuar këtë e atë. Kjo është arsyeja përse në ditët në vazhdim, ata do të përpiqen të paraqiten si ‘kujdestarë’ të fatit tonë”, thotë Radosavleviq për Radion Evropa e Lirë.

Seanca për Kosovën në Kuvendin e Serbisë pritet të caktohet në fillim të tetorit.

Radosavleviq, përndryshe, është nënkryetar i Forumit Kombëtar Serb, i cili ishte një nga organizatorët e bisedimeve mes opozitës në Serbi dhe politikanëve nga Kosova.

Ai beson se bisedimet ishin një nga tubimet më domethënëse në dhjetë vjetët e fundit, sepse përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova arritën t’ia paraqesin opozitës në Serbi problemet reale me të cilat ballafaqohen dhe t’i tregojnë se çfarë presin.

Çfarë u diskutua?

Radosavleviq thotë se një nga konkluzionet kryesore të bisedimeve të 28 shtatorit, ishte se partitë parlamentare opozitare në Serbi, në seancën e ardhshme për Kosovën, do t’i mbështesin të gjitha qëndrimet që kanë dëgjuar nga përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

“Konsolidimi i skenës politike [të serbëve në Kosovë] është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, dhe do të shkohet në këtë drejtim, sepse ky ishte qëndrim i të gjithëve, i përfaqësuesve të serbëve nga Kosova dhe i partive opozitare në Serbi. U tha, gjithashtu, se duhet të jemi realistë ndaj rrethanave ekzistuese dhe se rrëfimet e mëdha dhe rrahjet në gjoks nuk mund ta ndihmojnë mbijetesën e popullit serb”, thotë Radosavleviq.

Për pozitën e serbëve në Kosovë, më 28 shtator foli edhe aktivisti politik nga Mitrovica e Veriut, Marko Jakshiq.

Ai kërkoi nga opozita në Serbi që t’i kuptojë më shumë problemet reale, me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, dhe të ketë një koordinim më të madh me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

“Ju takoni diplomatë, ua transmetoni frikën tonë. Zgjidhje le të jetë ajo që dëgjoni prej nesh e jo agjenda”, tha ai.

Ai kujtoi se autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë që funksionojnë në Kosovë dhe tha se ka frikë se “do të goditet” edhe universiteti ku mësohet në gjuhën serbe.

“Ne jetojmë në diçka që gjithnjë e më shumë po bëhet shtet, që është armiqësore ndaj nesh”, tha Jakshiq dhe shtoi se, në këtë moment, serbët nuk mund t’i bëjnë të njëjtat gabime, kur bëhet fjalë për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Jakshiq u dorëhoq nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, së bashku me kolegët e tjerë nga gjyqësori. Atëkohë, dorëheqje dhanë edhe punonjës të policisë dhe të administratës lokale.

Autoritetet e Kosovës, ndërkohë, punuan për shtrirjen e pushtetit në veri, duke i mbyllur institucionet që punonin nën sistemin e Serbisë, duke hequr nga përdorimi dinarin serb, targat e lëshuara nga Serbia etj.

Branimir Stojanoviq, nga Lëvizja Popullore Serbe, tha se fokusi i saj janë kushtet e njerëzve të zakonshëm dhe se partia planifikon t’i drejtojë kapacitetet drejt krijimit të kushteve më të mira për jetë.

“Sigurisht që këtë nuk do të mund ta bëjmë vetëm. Ky tubim është i rëndësishëm, sepse i dërgon mesazh popullit të Kosovës se nuk është vetëm... Po na rrahin nga të gjitha anët dhe duart tona janë të lidhura. Por, ende nuk na i kanë lidhur këmbët, sepse presin që ne të arratisemi nga ato zona”, tha Stojanoviq.

Ai, gjithashtu, tha se është e nevojshme “të krijohet një gjeneratë e re e politikanëve që do të luftojnë për interesat e serbëve në Kosovë”.

Nga udhëheqësit opozitarë në Serbi, në takim morën pjesë kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjillas, kryetari i Partisë Demokratike, Zoran Llutovac, pastaj Mirosllav Alleksiq nga Lëvizja Popullore e Serbisë, kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Millosh Jovanoviq, dhe Robert Kozma nga Fronti i Gjelbër i Majtë.

“Duhet të këputet zinxhiri i korrupsionit në linjën Beograd - Lista Serbe. Paratë e ndara për popullin e Kosovës, për vite me radhë, kanë përfunduar në xhepa të gabuar”, tha Llutovac.

Gjillas tha se partia e tij nuk do të pranojë kurrë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe se opozita “tregoi pjekuri” që kërkoi një seancë të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.

Kozma, në anën tjetër, tha se serbët në Kosovë janë “në hendek mes dy politikave të gabuara - Prishtinës dhe Beogradit”.

Gogiq: Beogradi do të përpiqet ta pengojë bashkimin

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se rreth çështjes së Kosovës është mbledhur një “gamë e gjerë” e opozitës në Serbi dhe se kjo tregon se ata janë të interesuar të bashkëpunojnë me politikanë nga Kosova, që mund të jenë opozitë e Listës Serbe.

“Formimi i një alternative ndaj Listës Serbe është në rrugë e sipër. Edhe ka pakënaqësi me Listën Serbe, edhe qytetarët janë fuqizuar. Nuk ka më shumë kufizime”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, do të jetë e vështirë të formohet një iniciativë, e cila, në afat të gjatë, do të jetë kundërshtare e Listës Serbe apo e politikës që aktualisht përfaqëson Beogradi zyrtar.

“Beogradi do të përpiqet t’i pengojë ata që të bashkohen [kundër Listës Serbe]”, thotë Gogiq, duke kujtuar se lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i ka ndërruar qëndrimet e veta “brenda natës” dhe është bërë besnik i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo nuk është hera e parë që individët “i bashkohen” Listës Serbe apo Beogradit zyrtar, edhe pse më parë kanë qenë kundër politikës së tyre.

Gogiq kujton se një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura nga buxheti i Serbisë dhe se kjo është një nga arsyet kryesore përse qytetarët gjithmonë do ta mbështesin opsionin që mbështet Qeveria e Serbisë.

Lista Serbe, që nga themelimi i saj në vitin 2013, ka marrë mbi 90 për qind të mbështetjes nga pjesëtarët e komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë.

Gogiq, megjithatë, beson se një listë e re e mundshme, e cila do të mbështetej nga opozita në Serbi, do të mund t’i merrte disa mandate në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen në shkurt të vitit 2025.

Pjesëtarët e komunitetit serb kanë dhjetë ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, si dhe një ulëse në Qeverinë e Kosovës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat