Todoroviq: Radoiçiq ndodhet diku në Serbi

Aktuale

Todoroviq: Radoiçiq ndodhet diku në Serbi

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 20:18
Sofija Todoroviq

Aktivistja për të drejtat e njeriut në Serbi, Sofija Todoroviq, gjatë një interviste për tëvë1 thotë se sulmi i terrorist i 24-shtatorit në Banjska ka qenë mirë i planifikuar. Ajo shprehet kritike ndaj autoriteteve serbe që nuk kanë gatishmëri për ta ndjekur penalisht kryeterroristin, Milan Radojçiq.

Në intervistën e tij të fundit të dhënë për një medie serbe, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq tha se Serbia nuk duhet të pranojë narrativën se Banjska përcaktohet nga mënyra se si e sheh Kosova atë ngjarje.

Ai sikurse edhe liderët e tjerë serbë përfshirë këtu presidentin Aleksandar Vuçiq refuzojnë të marrin përgjegjësi për sulmin paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, pavarësisht faktit se Milan Radojçiq, njeri i afërt me partinë në pushtet në Serbi e pranoi se ishte organizator i atij sulmi.

Se Serbia ishte e përfshirë në atë sulm terrorist e thotë edhe Sofija Todoroviq nga nisma rinore për të drejtat e njeriut me seli në Beograd.

Sipas saj është e qartë se sulmi i 24-shtatorit ishte mirë i planifikuar nga shteti serb.

“Mund të them se Banjska ishte një sulm i qartë paramilitar. Vetëm armët dhe makinat e rënda që u përdoren kanë kosto me miliona euro. Banjska në asnjë formë nuk mund të quhet vetëm incident sepse ju nuk mund të shkoni ne territorin e një shteti tjetër krejt rastësisht. Duke i parë sa të stërvitur ishin paramilitarët dhe çfarë pajisje ata po përdornin është e qartë se ky sulm ishte i planifikuar. Mirëpo normalisht që kemi mungesë informacionesh dhe kurrë nuk do ta dimë të gjithë të vërtetën që fshihet mbrapa Banjskës” , thotë aktivistja serbe.

Todoroviq tregon se Radojçiq ndodhet diku në Serbi, por që shteti nuk ka gatishmëri që ta ndjek atë penalisht

“Ne kemi dy shtete që fare nuk kanë bashkëpunim ndër-institucional dhe kjo natyrisht që e bënë më të vështirë hetimin e plotë të ngjarjes. Në anën tjetër, Serbia nuk është fare e interesuar për ta ndjekur penalisht Radojçiqin pavarësisht faktit se ai e ka marrë të gjithë përgjegjësinë për sulmin në Banjska. Ne e dimë që ai ndodhe diku në Serbi por nuk shohim asnjë shenjë që institucionet kanë gatishmëri për ta vënë atë para drejtësisë. Ky lloj mosndëshkimi që buron nga e kaluara, ende po i jep formë të tashmes në Serbi. Kemi jashtëzakonisht nevojë për një shtet ligjor” , thotë ajo.

Në Kosovë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për rastin e sulmit në Bansjkë, në të cilën ka implikuar 45 persona, ku mes tjerash aty përmendet edhe Milan Radojçiq si udhëheqës i atij formacioni terrorist që ka tentuar ta aneksoj veriun e Kosovës.

Kurse në Serbi ende nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat