Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjaët vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar mërgatën shqiptare atje.
Ai thotë se mërgata në priti “në organizime madhështore, të mbushura me atmosferë festive e kombëtare, ku u mblodhëm për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës dhe ndarë eksperiencat e përbashkëta”.
Postimi i plotë:
Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi përtej takimeve bilaterale me vende mike e partnere. Mërgata e gjerë shqiptare atje, na mirëpriti në New Jersey dhe në Waterbury të Connecticut, në organizime madhështore, të mbushura me atmosferë festive e kombëtare, ku u mblodhëm për të bashkëbiseduar për të tashmen e të ardhmen e Kosovës dhe ndarë eksperiencat e përbashkëta.
Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik. Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që janë aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim, e me të cilët ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta. E diaspora jonë, luan një rol fort të rëndësishëm, si pikëlidhje e fuqishme dhe bosht kryesor i marrëdhënieve me ShBA-të.
Mirënjohje për Kryetarin e Qytetit të Waterbury Paul K. Pernerewski Jr., nga i cili pata nderin edhe të pranoj Çelësin e Qytetit, si dhe për Senatorin amerikan Richard Blumenthal, për fjalët e tij sa të fuqishme aq edhe përkrahëse mbi përkushtimin e ShBA-ve ndaj Kosovës dhe mbështetjen e pareshtur, e prezencën e ambasadorit e mikut të përjetshëm të popullit tonë liridashës, William Walker.
Bashkë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendësen e saj Liza Gashi, dhe Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, falënderuam përzemërsisht Qendrat Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Struga” dhe "Hasan Prishtina", që na mblodhën me njëri-tjetrin, për të kaluar momente të paharrueshme.