Zogaj: Në raport me dorëheqjet, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare

Aktuale

Zogaj: Në raport me dorëheqjet, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 10:08
Zogaj: Në raport me dorëheqjet, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare

Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se në raport me dorëheqjet e stafit serb, gjyqësorin do ta obligojë vetëm një marrëveshje ndërkombëtare.

Zogaj tha se deklaratat apo komentet që vijnë jashtë gjyqësorit lidhur me këtë çështje, nuk e obligojnë gjyqësorin.

“Gjyqësorin e Kosovës ka me obligu vetëm një marrëveshje ndërkombëtare, me pru në mënyrë formale. Deklaratat, komentet që vijnë jashtë gjyqësorit, nuk e obligojnë gjyqësorin”, tha Zogaj në emisionin “Tempus”.

Ai tha se në qoftë se ka parakushte për diskutimin e dorëheqjeve, diskutimi i tyre do të jetë individual. Tha se vlerësimi preliminar i KGJK-së është se do të ketë një ekipë të KGJK-së që do të shqyrtojnë të gjitha.

“E vërteta është se ne nuk mund ta mbajmë në pafundësi këtë gjendje, ndoshta duhet në një moment me i pranu të gjitha dhe me i hapë vendet, por gjithë e dijmë që nuk do të kemi aplikime, në qoftë se do të kemi për Divizionin e Gjykatës së Apelit, do të na duhet deri në 7 vite deri në plotësimin e vendeve”, tha Zogaj.

Por, ai shtoi se numri i gjyqtarëve dhe zyrtarëve tjerë nuk është treguesi më i saktë për performancën, kurse tha se sikurse mungesa e theksuar edhe mbingarkesa është në dëm të efikasitetit.

Zogaj tha se kishte mobilizim për Gjykatën Themelore në Mitrovicë, derisa përmendi që janë transferuar gjykatës, janë zgjedhur të rinj e është shtuar numri i stafit. Kryesuesi i KGJK-së e përmendi edhe sfidën me përkthimet në gjykata.

“Deri pas dorëheqjeve nuk kemi pasur asnjë konkurs të veçantë për serbët, pra ju kanë nënshtruar të gjithë testit të njëjtë si shqiptarët si serbët, por sigurisht që kuotat kanë qenë të rezervuara. Tani, ne jemi detyruar me pas konkurse të veçanta dhe kjo nuk është një praktikë e mirë pavarësisht se e kemi bërë sepse mund të vendosen pikëpyetje mbi kriteret që aplikohen, mbi rigorozitetin e testit, mbi rigorozitetin e procedurës, etj. Prandaj, dorëheqjet na kanë shkaktuar në zinxhir shumë pasoja që e dëmtojnë imazhin e përgjithshëm të gjyqësorit dhe besimin në gjyqësor”, tha kryesuesi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat