Bislimi u takua me bursistët nga Skema e Profesionistëve të Rinj (YSC)

Aktuale

Bislimi u takua me bursistët nga Skema e Profesionistëve të Rinj (YSC)

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 13:06
Foto nga takimi

Sot u mbajt ceremonia e dhënies së akt-emërimeve për bursistët e raundit të XIII-të nga Skema e Profesionistëve të Rinj (YSC), projekt i financuar me fondet IPA të Bashkimit Evropian dhe i bashkëfinancuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se bursistët u mirëpritën nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, e ku prezent ishte dhe zëvendësambasadorja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

Bislimi iu uroi mirëseardhje bursistëve në kuadër të shërbimit civil të Republikës së Kosovës dhe shtoi se Qeveria vijon ta përkrahë këtë program, i cili sjell kuadro në administratën publike dhe ofron mundësi për të rinjtë dhe të rejat, për rritjen e tyre profesionale dhe të eksperiencës.

“Bursistët kanë kryer studimet themelore në fusha e sektorë të ndryshëm prioritar për Qeverinë, duke përfshirë drejtësinë, ekonominë, diplomacinë, administratën publike, mjedisin, energjinë dhe ndryshimet klimatike. Pas kryerjes së suksesshme të studimeve, ata tashmë kontribuojnë në institucionet e Republikës së Kosovës, ku do të punojnë për së paku 3 vite si nëpunës civilë në kuadër të administratës publike”.

“Kontributi i tyre shtrihet në Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në njoftim. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat