Kusari-Lila për largimin e dy deputetëve nga VV-ja: Për keqardhje është që s’kanë bërë njoftim paraprak

Aktuale

Kusari-Lila për largimin e dy deputetëve nga VV-ja: Për keqardhje është që s’kanë bërë njoftim paraprak

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 14:05
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, e ka komentuar largimin e dy deputetëve nga ky grup, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica të cilët i janë bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Sipas saj, ky veprim apo deklarim në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani është vetëm në funksion të një qëllimi elektoral.

“Çdo gjë është e tepër të komentohet tani kur janë shpallur zgjedhjet e rregullta nacionale të cilat janë të caktuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, prandaj secili veprim apo deklarim në kundërshti me atë që kanë përfaqësuar deri tani është vetëm në funksion të një qëllimi elektoral., për shkak se nuk shoh ndonjë hapësirë ose mundësi tjetër për të bërë ndryshim tjetër përveç se për t’u pozicionuar në aspektin zgjedhor ose elektoral diku tjetër. Prandaj, arsyetimet për mua nuk është se tashmë duhet t’i komentojmë ose të vazhdojmë sagën e komentimeve. Për keq ardhje është që nuk kanë bërë njoftim paraprak. Do të ishte kurtuazi minimale gjatë gjithë kësaj kohe të qëndruarit bashkë dhe natyrisht shërbimit në të njëjtin grup parlamentar, të paktën të kishin deklaruar ose komunikuar grupit. Nuk ka pasur një deklarim të tillë. Sido qoftë është zgjedhje e tyre. Unë ju uroj sukses kudo që janë. Natyrisht që janë mos pajtime parimore që kanë të bëjnë në raport se si organizohet puna dhe shteti, dhe cilat janë vendimet që i merr Kuvendi përfshirë këtu edhe miratimin e ligjeve dhe miratimin e Kodit Civil”, tha Kusari-Lila për rtv21.

Shefja e grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka pasur hapësirë për negociata paraprake sa i përket Kodit Civil, me dy deputetët të cilët si arsye kanë potencuar shtyrjen përpara të Kodit Civil nga shumica parlamentare e deputetëve të VV-së.

“Sa i përket një çështje në veçanti është diskutuar. Nuk ka pasur hapësire për negocim në kuptimin e kompromiseve që mund të bëhen brenda një program legjislativ, ose brenda një përmbajtje. Kodi nuk ka kaluar ende, por janë edhe një pjesë e ligjeve tjera të cilat e kanë një bazë të besimit tjetër që ka dalluar me pjesën tjetër të grupit. Prandaj në këto javët ose ditët e fundit nuk është se ka qenë çështje e negocionim. Kanë parë rrugën ose orientimin e tyre që mund të realizojnë synimet dikund tjetër dhe përtej kësaj nuk kam tjetër se çfarë të shtoj”, u shpreh Kusari-Lila.

Por, a po e humb forcën politike brenda Kuvendit Vetëvendosje sipas Kusari-Lilës.

“Ne aktualisht pa dy deputetët e larguar mbesim 62 deputet të pozitës. Në këtë aspekt 54 janë të grupit të VV-së dhe 8 nga grupi multientik. Nuk kanë mbetur shumë muaj punë efektive, gjegjësisht Kuvendi do të funksionojë derisa të shkojë në pushimet e fund vitit, pas së cilës pastaj me vitin e ri do të fillon edhe zyrtarisht fushata parazgjedhore, prandaj ky është një pozicionim elektoral dhe asgjë më tepër”, tha ajo.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së tha se secili deputet përfshirë edhe dy të larguarit nga Vetëvendosje duhet të votojnë projektligje që janë në interes për qytetarët.

“Unë mendoj që jo vetëm këta që janë larguar tani, por secili deputet edhe i opozitës deri më tash ky ka qenë edhe komunikimi që kam bërë me përfaqësues të opozitës duhet të shikojnë ligjet që shkojnë përtej një mandati të këtij legjislacioni ose një Qeverie. Ligjet janë për qytetarët e Kosovës dhe unë besoj se secili që sheh dobi nga miratimi i atyre ligjeve duhet të marrë pjesë në atë votim. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur shpesh, pjesëmarrja e atyre që kanë qenë janë pozitës dmth në votim, por nëse shohim prapë mundësi dhe reflektim me bazë për miratimin e ligjeve në fund edhe të buxhetit për vitit 2025 unë shoh një hapësirë e cila ju bënë nderë jo pozitës por qytetarëve të Kosovës. Ligjet gjithmonë zgjasin shumë më shumë sesa një mandat qeveritar ose legjislativ”, tha Kusari-Lila.

Por, a është grupi i VV-së unik pas largimit të dy deputetëve. Dhe sipas shefes së këtij grupi a ka ankesa nga deputetët e tjerë.

“Nuk e besoj se është çështje ankesash. Nuk është se ne kemi pasur ankesa nga deputetët në fjalë, ka pasur dallime mendimesh për çështje të cilat në aspektin parimor janë qartë të përcaktuara dhe në aspektin vleror në atë se çfarë shoqërie shohim, cilat janë orientimet e një shoqërie progresive dhe cilat janë ato që këta kanë dashur ose duan t’i përfaqësojnë. Prandaj, nuk është kjo cështje e mos pajtimit me zhvillimet të brendshme është çështje e besimit të tyre që tashmë siç e përmenda në fund të mandatit vjen në shprehje për pozicionim diku tjetër”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat