Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se do të kërkojë urgjentisht thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ‘zhbllokimin’ e çështjes së pagave të zyrtarëve publikë.
Pagat e zyrtarëve publikë, të cilat do duhej të ishin ekzekutuar të hënën, janë bllokuar shkaku i përfundimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Thesarit të Shtetit.
Por, AAK-ja pretendon se këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm Kuvendi i Kosovës.
Për këtë shkak, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha sot se AAK-ja do të “kërkojë menjëherë” mbledhjen e kuvendit në seancë të jashtëzakonshme.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të qëndrojë duarkryq. Ne do të kërkojmë menjëherë një seancë të jashtëzakonshme plenare të Kuvendit për ta mbajtur këtë qeveri përgjegjëse”, tha Tahiri,.
Tahiri tha se Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e për ekzekutimin e pagave dhe se kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.
“Qeveria e Kosovës ka kaluar çdo kufi me vonesat e saj të papranueshme në ekzekutimin e pagave për 80,000 shërbyes publikë. Ky dështim flagrant është një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut dhe të drejtës themelore për të gëzuar pronën. Shërbyesit publikë janë shtylla e vendit tonë dhe mohimi i realizimit të pagave të tyre me kohë është një akt i neglizhencës së rëndë dhe mosrespektimit ndaj qytetarëve, njëherësh shërbyesve civil të Kosovës”, u shpreh Tahiri.