Opozita me akuza ndaj Qeverisë, Armend Muja “qetëson” shërbyesit civil për mosekzekutimin e pagave: Unë besoj që tejkalohen..

Aktuale

Opozita me akuza ndaj Qeverisë, Armend Muja “qetëson” shërbyesit civil për mosekzekutimin e pagave: Unë besoj që tejkalohen..

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 15:18
Foto ilustrim

Deputetët nga partitë opozitare në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me vonesat në ekzekutimin e pagave për shërbyesit civil, duke akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjeve. Derisa kritikuan qeverinë për këto veprime, kanë shtuar se edhe vendosja e një ushtrues detyre në këtë dikaster është e paligjshme. Në anën tjetër, nga pozita thonë se sipas ligjit sot është afati dhe do të kryhet. KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Financave lidhur me ketë çështje, mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala ka kërkuar që të zbatohen ligjet në plotni, dhe jo të ketë këso vonesa në paga. Derisa ka komentuar edhe vendosjen e një Ushtrues Detyre në këtë dikaster, për çfarë thotë se, kjo qeveri po vazhdon së menaxhuari dhe udhëhequr duke bërë shkelje ligjore permanente.

Shala: Kjo qeveri po vazhdon së menaxhuari dhe udhëhequr duke bërë shkelje ligjore permanente

“Ministri i Financave dhe Qeveria tashmë kanë vendosur një UD në këtë dikaster jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe të rëndësishëm, duke shkelur në mënyrë flagrante bazën ligjore të cilën e kanë miratuar vet. Kjo qeveri po vazhdon së menaxhuari dhe udhëhequr duke bërë shkelje ligjore permanente. Ne kemi paralajmëruar tash e disa ditë që janë me dhjetëra sektor të rëndësishëm të institucioneve shtetërore që janë në mënyrë të paligjshme duke ushtruar detyrat e tyre me papërgjegjësi juridike të madhe. Këtë relacion është situatë tepër delikate sepse direkt apo indirket po reflekton tek mosrealizimi i pagave dhe vonesat në realizmin e pagave të shërbyesve civil. Kërkojmë që ligjet të respektohen, kërkojmë që institucionet e shtetit duhet të kenë jo UD por punonjës profesional dhe sipas kontratave dhe legjislacionit në fuqi”, thotë Shala.

Ndërkaq, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj mos ekzekutimin e pagave me kohë të shërbyesve civil për muajin shtator e quan skandaloze, duke shtuar se në këtë drejtim janë dëmtuar edhe bizneset që kanë marrëdhënie kontraktuale me qeverinë e Kosovë përmes ekzekutimit të parasë publike.

Zemaj: Është tepër skandaloze në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur një problem i tillë

“Katër vite të kësaj qeverie kanë qenë papërgjegjësi e madhe që pothuajse shumë institucione edhe bartësit institucioneve që konsiderohen të pavarura dhe janë të pavarura kanë funksionuar me ushtrues detyre. Interesimi i qeverisë ka qenë më shumë që të ushtroj presion politik mbi këta ushtrues detyre sesa mbarëvajtjen e mirë të institucionit dhe ekzekutimin e punëve të mira...Është tepër skandaloze në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur një problem i tillë ku janë dëmtuar jo vetëm shërbyesit civil, por edhe bizneset që kanë marrëdhënie kontraktuale me qeverinë e Kosovë përmes ekzekutimit të parasë publike. Këta nuk janë as të vetëdijshëm as nuk janë të përgjegjshëm, por mbi të gjitha aq janë të paaftë dhe tregues që më shumë janë të interesuar të kontrollojnë çdo institucion të pavarur që duhet të punoj dhe të zhvilloj Kosovën, për interesa të ngushta dhe interesa politike për interesa dhe afera korruptive”, thotë Zemaj.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se më e pakta në këtë mos përgjegjësi nga qeveria është që, ministri duhet të dorë hiqet, apo vet dorëhiqet, apo të shkarkohet.

Lekaj: E pakta është që ministri duhet të dorë hiqet, apo vet dorëhiqet, apo të shkarkohet

“Sa i përket pagave nuk është diçka risi dhe e kanë ditë që ditën e fundit të muajit duhet të ekzekutohen pagat, por siç jemi mësuar me këtë qeveri të praktikanteve, e meritojnë këtë që po u themi praktikantë, sepse nuk i kanë dhënë prioritet atyre gjërave që shkojnë në favor të zgjidhjeve të çështjeve, në këtë rast pagat. E pakta është që ministri duhet të dorë hiqet, apo vet dorëhiqet, apo të shkarkohet”, thotë Lekaj.

Përkundër akuzave nga partitë opozitare, nga pozita vlerësojnë se nuk do të ketë sfida në këtë drejtim. Deputeti nga Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë se sipas ligjit sot është afati dhe do të kryhet ekzekutimi.

Muja: Sipas ligjit sot është afati dhe do të kryhet

“Mendoj që është mirë sot është afati i fundit kur duhet të ekzekutohen dhe besoj që do të ekzekutohen nuk e shoh që do të ketë sfida. Unë besoj që tejkalohen, ka pas vendime të ndryshme edhe nga Gjykata Kushtetuese, por e rëndësishme është që në administratë janë gjëra që më pas po ndodhin disa tjera, sipas ligjit sot është afati dhe do të kryhet”, thotë Muja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat