Ministria e Financave i lë pa paga zyrtarët publikë në komunën që qeveriset nga LDK-ja

Aktuale

Ministria e Financave i lë pa paga zyrtarët publikë në komunën që qeveriset nga LDK-ja

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 17:15
Hekuran Murati

Ministria e Financave ka njoftuare se zyrtarët publikë në Komunën e Vitisë kanë mbetur pa paga, për shkak se komuna nuk ka siguruar buxhetin e nevojshëm.

Sipas ministrisë që udhëhiqet nga ministri Hekuran Murati, Komuna e Vitisë nuk ka bërë rregullimin që i është kërkuar dhe kësisoj zyrtarët publikë në këtë komunë kanë mbetur pa paga.

Ekzekutimi i pagave në këtë komunë është bërë vetëm për punonjësit e komunës, por jo edhe për pjesën tjetër të zyrtarëve publikë.

Njoftimi i plotë i ministrisë:

“Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës. Përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani. Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës.

Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit. Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave. Megjithatë, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm.

Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat