Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka shprehur kritika ndaj Qeverisë Kurti për mos ekzekutimin e pagave për zyrtarët publikë për muajin shtator – në fund të këtij muaji siç parashihet me ligj – duke e cilësuar këtë veprim si një shenjë e qartë e mungesës së funksionalitetit të shtetit.
Sipas Deliut, qeveria ka treguar neglizhencë dhe mungesë kompetence në menaxhimin e financave publike, gjë që ua ka vonuar pagat rreth 82 mijë shërbyes civilë.
“Unë kam qenë e vetëdijshme, për mua nuk është që ka ndodh ndonjë absurditet i madh, sepse vetëm funksionalitet të shtetit këtë kohën e fundit, dhe këto katër vite të Qeverisë nuk e kemi pa.
Dhe këtë de-funksionalitet e shohim në çdo segment të shoqërisë.
Kjo flet për mungesën e funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Këta kanë qenë të vetëdijshëm se çka thotë ligji edhe kur e kanë emëruar ushtrues detyre për t’i ekzekutuar pagat. Ata e dinë saktë se çfarë thotë ligji. Nuk është se kanë pas mungesë të informacionit. Por ka pasur, e para neglizhencë e dyta jo kompetentë. Absolutisht një Qeveri jo kompetente që i lënë qytetarët e Kosovës, 82 mijë shërbyes civil pa paga. Nuk mund të arsyetohet. Pavarësisht që ata do të arsyetohen që nuk është pritje e madhe, njerëzit janë, nëse i shini statistikat, në kredi… Është mungesë totale e kompetencës dhe është mungesë e ndjeshmëri ndaj qytetarëve që mezi e mbyllin muajin”, ka thënë Deliu.
Deliu ka kritikuar Qeverinë edhe për shërbimet e ushqimit dhe largimin e ushtarëve të FSK-së.
Ajo shtoi se kjo situatë është një tregues i nivelit shqetësues me të cilin funksionojnë pjesëtarët e FSK-së.
“Shqetësimet brenda FSK dhe largimi i pjesëtarëve dhe braktisja e FSK kanë qenë tema të përhershme që i kemi përmendur si opozitë. Edhe për shkak të nivelit të cilit FSK-ja duhet ta ketë në vitin 2024, një forcë që ka qenë krenari e Kosovës me miqtë dhe aleatët tanë. Absolutisht që është në nivel që Qeveri ame politika ad-hoc ta kthejë ushtarin e Kosovës, për të cilin ne krenohemi i madh i vogël, në një pozitë të tillë, sa ata të bëhen fokus i mediave vendore e ndërkombëtare se si ushqehet ushtari i FSK-së. Për mua është shqetësim nivelin me të cilin funksionojnë pjesëtarët e FSK-së”, ka shtuar Deliu.