Nga 1 tetori, ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ua përgatisin ushqimin kuzhinierët e Qendrave Korrektuese dhe Studentore. Kjo gjendje erdhi pasi, një ditë më herët ka përfunduar marrëveshja në mes FSK-së dhe kompanisë së kontraktuar. Ish ushtaraku, Ismet Ibishi thotë se kjo gjendje është e pafalshme dhe se përgjegjësit duhet të dënohen. Ai thotë se mund të ketë edhe helmim të mijëra ushtarëve kosovarë.
Ushqimin për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës e kanë përgatitur kuzhinierët e Qendrave Korrektuese dhe Qendrës Studentore.
Punëtorët e këtyre dy institucioneve po punojnë për FSK-në pasi marrëveshja në mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kompanisë së kontraktuar ka skaduar më 30 shtator.
Në pamjet e siguruara prej Tëvë1, shihet se të martën në kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet atyre iu servua gjella, oriz, mish pule e supë.
Detaje rreth marrëveshjes dhe ushqimit në hollësi nuk kanë dhënë Ministria e Mbrojtjes. Por ata iu drejtuan pyetjeve vetëm me një komunikatë.
“Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër. Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kamotshëm”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.
Por, kjo situatë është e pafalshme për ish ushtarakun e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ismet Ibishin.
Madje Ibishi është kundër që ushqimi i ushtarëve të bëhet me kompani jashtë institucionit.
Sipas tij, kjo gjendje mund të dërgojë në helmimin e mijëra ushtarëve.
Pa përgjigje të martën kanë qenë edhe drejtuesit e Qendrës Studentore.
Tëvë1 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës mirëpo as ky institucion nuk ka dhënë detaje.