Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën, në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri, është takuar me Ndihmës Sekretaren për Mbrojtje, Celeste Wallander dhe ambasadorin Michael Carpenter, Asistent i Posaçëm i Presidentit dhe Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve.
Sipas komunikatës së Qeverisë në takim Kurti ka theksuar partneritetin e palëkundur në mes Kosovës dhe ShBA- ve, si dhe i ka falënderuar Wallander dhe Carpenter për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe proceseve shtetndërtuese para dhe pas pavarësisë.
“Ai shprehu angazhimin e Kosovës në sigurinë e paqen rajonale, teksa shtoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO e Kartën e Adriatikut dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme në fushën e mbrojtjes me ShBA-të, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Departamentit për Mbrojtje të ShBA-së dhe Ministrisë sonë të Mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.
Kurti në takim ka qenë i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.