​Institucionet e Kosovës hedhin poshtë pretendimet se u kërcënuan gazetarët e Tanjugut

Aktuale

​Institucionet e Kosovës hedhin poshtë pretendimet se u kërcënuan gazetarët e Tanjugut

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 20:42
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme hedh poshtë pretendimet e Agjencisë së Lajmeve serbe “Tanjug” se po kërcënohen gazetarët e tyre nga Kosova.

Nga kjo ministri thonë se deri më tash nuk është evidentuar asnjë raportim zyrtar tek institucionet e sigurisë të Kosovës në lidhje me kërcënimet e pretenduara.

Në një përgjigje për KosovaPress nga ministria e Punëve të Brendshme thuhet se Kosova është vendi më demokratik në rajon që gëzon liri të shtypit dhe siguri për qytetarët e saj.

Tutje në këtë shkresë thuhet se Kosova vizitohet vazhdimisht nga gazetarë të huaj, përfshirë edhe gazetarë nga Serbia të cilët udhëtojnë dhe raportojnë lirshëm nga Kosova dhe për Kosovën.

“Raporti i fundit i kompanisë amerikane Gallup rendit Kosovën në top 10 vendet e botës me vlerën më të lartë të indeksit të Ligjit dhe Rendit dhe në mesin e vendeve më të sigurta në glob për qytetarët e saj. Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor, e 2-ta në Evropë dhe e 5-ta në botë për nga siguria që ka për njerëzit që jetojnë dhe vizitojnë Kosovën. Republika jonë është vendi më demokratik në rajon që gëzon liri të shtypit dhe siguri për qytetarët e saj. Kosova vizitohet vazhdimisht nga gazetarë të huaj, përfshirë edhe gazetarë nga Serbia të cilët udhëtojnë dhe raportojnë lirshëm nga Kosova dhe për Kosovën.

Deri më tash nuk është evidentuar asnjë raportim zyrtar tek institucionet tona të sigurisë në lidhje me kërcënimet e pretenduara”, thuhej në përgjigjen e ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar Agjencisë së Lajmeve “KosovaPress.

Edhe nga Policia e Kosovës kanë njoftuar se në këtë institucion nuk është raportuar për ndonjë kërcënim të tillë për të cilin po pretendohen nga Agjencia e Lajmeve “Tanjug”.

“Bazuar në informacionet zyrtare të deritanishme, në Polici të Kosovës nuk është raportuar ndonjë rast i tillë nga ndonjë gazetar/medium”, u shprehen nga Departamenti për Informim në Policinë e Kosovës.

Agjencia e Lajmeve serbe “Tanjug”, po pretendon se kanë pranuar një email nga shqiptarët nëpërmjet të cilit kërcënohen me jetë gazetaret e këtij mediumi poqëse vizitojnë Kosovën, megjithatë, nuk kanë dhënë asnjë detaj apo dëshmi për një gjë të tillë, madje as që ai email është dërguar nga ndonjë qytetar i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat