Në 27 vjetorin e protestës historike të studentëve, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se ajo protestë u kthye në simbol të qëndresës dhe unitetit të popullit të Kosovës.
Ai ka shprehur mirënjohje për mijëra studentë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës, për të cilët ka thënë se "sypatrembur e stoikë, në krye me rektorin Ejup Statovci, u ngritën në këmbë për të kërkuar të drejtat e tyre".
"Kjo protestë, së cilës iu bashkuan mijëra qytetarë, pati jehonën e zërit kundër shtypjes dhe kundër regjimit pushtues të Millosheviçit. Ajo u kthye në simbol të qëndresës dhe unitetit të popullit të Kosovës, duke rishfaqur qëllimin dhe dëshirën e flaktë për liri dhe pavarësi", ka shkruar kreu i PDK-së.
Ai tutje thotë se duke kujtuar të kaluarën, riafirmojnë angazhimin për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe të kushteve për të gjithë nxënësit dhe studentët në vend.