I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se për Kosovën s’ka ende lajme të reja sa i përket pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit, kur kanë mbetur edhe dy javë në shënimin e 10-vjetorit të këtij procesi.
Gjermania ka qenë e zëshme duke i bërë thirrje Kosovës që ta largojë masën e sigurisë për mallrat serbe duke e cilësuar në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
Vetë Sarrazin e pati përmendur gjatë vizitave të fundit të tij në Prishtinë mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit po qe se Qeveria nuk i heq masat ndaj produkteve serbe.
Në Forumin e dytë ekonomik gjermano-kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë, Sarrazini ka thënë se edhe pse mbledhja e Procesit të Berlinit do të mbahet pas dy javësh, me Kosovën janë “ende në rrugën e daljes apo paraqitjen e lajmeve të reja”.