Ndër deputetë të Kuvendit që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare në Këshill të Evropës, ishte edhe Enis Kervan.
Në fjalën e tij, Kervan u shpreh i shqetësuar që rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës, ende nuk është adresuar në Komitetin e Ministrave.
“Komunitetet e Kosovës kanë punuar për më shumë se dy dekada për të ndërtuar një mjedis gjithëpërfshirës, të pranuar nga raportuesit e PACE.
Jemi të habitur nga bllokimi i vazhdueshëm i anëtarësimit të Kosovës, duke na bllokuar kështu të fitojmë më shumë të drejta përmes Konventës së KiE-së dhe që kufizon qasjen tonë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është shumë e rëndësishme për ne komunitetet joshumicë” tha Kervan në fjalën e tij.
Ai shtoi se kjo vonesë duket të jetë e nxitur nga argumente politike që nuk kanë lidhje me mandatin e KiE-së.
“A mund të na tregoni se kur pritet që Komiteti i Ministrave të trajtojë Opinionin e PACE, siç është paraparë me Statutin dhe Rregulloren e Punës së KiE-së dhe votoni pro anëtarësimit të Kosovës në KE”, pyeti Kervan.