​Mesazhi i masterclass për gazetari konstruktive: Mos promovoni agjenda dhe heronj të caktuar

Aktuale

​Mesazhi i masterclass për gazetari konstruktive: Mos promovoni agjenda dhe heronj të caktuar

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Kritike, objektive dhe të balancuar, kështu e përkufizon gazetarinë konstruktive, Thomas Gam Nielsen nga Instituti Danez për gazetari konstruktive. Në konferencën e Bashkimit Evropian për edukim mediatik e cila po mbahet në Prishtinë me temën "Gazetaria Konstruktive: Fuqizimi i Shoqërive të Informuara dhe Rezistente", ai tha se jo të gjitha storiet duhet të jenë senzacion për të tërhequr vëmendjen e audiencës.

Para pjesëmarrësve ai ka treguar shembuj të ndryshëm të gazetarëve në botë të cilët kanë fituar çmime me artikuj në dobi të qytetarëve.

Thomas Gam Nielsen nga Instituti Danez për gazetari konstruktive, i cili është masterclass për gazetarinë konstruktive tha se debati për gazetari konstruktive ka qenë e pranishme qysh në fillet e para të historisë amerikane.

Gam Nielsen: Të jetë jo e njëanshme, të ketë ton të qetë

"Debati i idesë se çfarë duhet të bëjnë gazetarët dhe çfarë duhet të bëjë gazetaria ka qenë e pranishme në historinë e gazetarisë amerikane nga fillet e saj. Dhe kur përpiqemi ta zbërthejmë në fjalë atë që është gazetaria konstruktive duhet të jetë kritike, objektive e balancuar dhe të ballafaqohet me çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria. Të jetë jo e njëanshme, të ketë ton të qetë dhe nëse keni ndonjë senzacion të madh atëherë duhet të thoni që është senzacion dhe gazetari senzacionale. Por po ashtu duhet të jeni të qetë për nga toni dhe nga ana tjetër jo të gjitha storiet duhet të jenë senzacionale për të tërhequr audiencën", tha ai.

Ai shtoi se është me rëndësi qe të mos promovohen "agjenda dhe heronj të caktuar".

Gam Nielsen: Është me rëndësi që të mos promovohen agjenda të caktuara

"Është me rëndësi që të mos promovohen agjenda të caktuara ose të promovojmë heronj të caktuar dhe kjo mund të jetë e vështirë nganjëherë ne media ku dëshirohni të shihni diçka tjetër nga përmbytjet dhe luftëtarët. Zakonisht ekziston tendenca që të përqendrohemi në një hero. Është mirë që të kemi lajme të tilla por kjo nuk është gazetari konstruktive", shtoi ai.

Ne konferencën e Bashkimit Evropian për edukim mediatik është mbajtur edhe një sesion tjetër ku janë bërë ushtrime për ndërhyrjet e jashtme dhe manipulimin e informacionit nga Haris Advić Pejičić, zyrtar i Task Forcës së Ballkanit Perëndimor i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat