“Hap i rrezikshëm në luftën për barazi”, reagojnë organizatat për deklaratat e Rrahmanit e Korenicës

Aktuale

“Hap i rrezikshëm në luftën për barazi”, reagojnë organizatat për deklaratat e Rrahmanit e Korenicës

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 15:39
Eman Rrahmani dhe Visar Korenica

Një numër i 37 organizatave për për të mbrojtur të drejtat e njeriut kanë reaguar për deklaratat e fundit të deputetëve Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, lidhur me largimin e tyre nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kundërshtimin e tyre publik ndaj Draft Kodit Civil.

Sipas këtyre organizatave, këto deklarata paraqesin një hap të rrezikshëm në luftën për barazi dhe të drejta të njeriut në Kosovë.

” Si organizata të përkushtuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut, ne i dënojmë fuqishëm këto deklarata, të cilat shtrembërojnë vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke promovuar diskriminim dhe pabarazi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga gjinia, seksi, orientimi seksual, mosha etj”.

“Retorika e përdorur nga këta deputetë dhe aktivistë politik që pretendojnë se disa ligje, përfshirë ato që mbështesin të drejtat e grave, të fëmijëve, të drejtat e personave LGBTIQ+, janë “të papranueshme për vendet evropiane” është jo vetëm e pasaktë, por edhe nxitje e urrejtjes, mosdurim dhe në kundërshtim me vlerat e të drejtave të njeriut dhe barazisë që Kosova është zotuar se do t’i garantoj duke i integruar konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj”.

“Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një shoqëri që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga gjinia, seksi, mosha, orientimi i tyre seksual, identiteti gjinor etj. Mbrojtja e të drejtave të grupeve të cenueshme është në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, të cilat Kosova i ka përqafuar si pjesë e rrugës së saj drejt integrimit evropian. Garantimi i këtyre të drejtave është shenjë e progresit dhe gjithëpërfshirjes, e jo e regresit dhe përçarjes”, thuhet në njoftim.

Më te, u bëhet thirrje të gjithë partive politike, Komisionit Qendror Zgjedhor, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve kompetente “që të qëndrojnë në detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të vlerave të Kushtetutës së Kosovës. U bëjmë thirrje këtyre akterëve që të refuzojnë retorikën përçarëse që synon të margjinalizojë personat grupet e cenueshme dhe të minojë vlerat kushtetuese të barazisë dhe drejtësisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat