Pavarësisht se në përbërjen e “Listës për familjen” ka drejtues dhe anëtarë që e praktikojnë fenë islame, ky koalicion, me të cilin do të garojnë disa subjekte politike në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, nuk do të ketë sfond fetar në të bërit politikë.
Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë përfaqësuesit e kësaj liste, sipas të cilëve “mbrojtja e vlerave tradicionale familjare” është kauza që i ka bërë bashkë ata.
“Nuk do ta dëgjoni asnjërin prej protagonistëve të koalicionit tonë që do të hyjë në debate me tema fetare”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë.
Kjo parti me orientim konservator është pjesë e koalicionit parazgjedhor “Lista për familjen”, bashkë me partinë Aleanca Kosova e Re (AKR) të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe politikanë të tjerë.
“Lista për familjen” u regjistrua si koalicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në gusht.Blerim Latifi, profesor i Filozofisë Klasike Politike dhe Religjionit në Universitetin e Prishtinës, thotë se ajo ka ngjyrime fetare.
“... jo vetëm të islamit politik, por edhe të rrymave më radikale, të cilat e sforcojnë një interpretim jobashkëkohor, jomodern të islamit”, thotë Latifi.
Qasjen e deritashme në politikë të subjekteve të caktuara brenda “Listës për familjen”, ai thotë se e sheh si përpjekje që, përmes përdorimit të retorikës fetare, “të depërtojnë brenda sistemit politik dhe të sfidojnë ligjin themelor të shtetit, që është ligji i një shteti laik”.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”.
Lista që bashkon konservatorët dhe liberalët
Aleanca Kosova e Re, sipas statutit të saj, ka orientim liberal demokratik të qendrës, ndërsa Partia e Drejtësisë është konservatore.
Çfarë janë liberalizmi dhe konservatorizmi?
Liberalizmi është një filozofi politike dhe morale e bazuar në të drejtat e individit, lirinë, barazinë politike, të drejtën e pronës private dhe barazinë para ligjit.
Konservatorizmi, ndërkaq, është një filozofi dhe ideologji kulturore, sociale dhe politike, që synon t’i promovojë dhe ruajë institucionet, zakonet dhe vlerat tradicionale.Radio Evropa e Lirë pyeti Bejtush Gashin, kryetar i shtabit zgjedhor të AKR-së, se kah cili drejtim ideologjik do të anojë “Lista për familjen” - kah liberalizmi apo konservatorizmi?
Ai pranon se kauza rreth së cilës janë bashkuar në koalicionin “Lista për familjen”, kërkon qasje konservatore të të bërit politikë, por programi me të cilin do të garojë ky koalicion në zgjedhje, thotë se do të përfshijë edhe frymën liberale.
“Do të bëjmë përpjekje maksimale liberale... që të ruhet fryma liberale, të ruhet vija e orientimit të qartë të Kosovës në proceset integruese kah Bashkimi Evropian, pra për integrimet euroatlantike dhe proceset tjera”, thotë Gashi.
Ai shton se konservatorizmi i kauzës me të cilën garon “Lista për familjen”, nuk nënkupton përfshirjen e çfarëdo sfondi fetar.
“Kemi një dakordim në këtë fushë [me partnerët e koalicionit]. Por, tani, pjesa fetare besoj se do të jetë pjesë e zbatimit të standardeve që çdo shtet i ka, si dhe lirive dhe të drejtave të njeriut që lidhen me fushën e besimit fetar”, thotë ai.
Vlerat konservatore “korrespondojnë me ato fetare”
Konservatorizmi progresiv demokratik është baza ideologjike mbi të cilën vepron Partia e Drejtësisë, thotë kryetari i këtij subjekti politik, Ferid Agani.
Ai shton se ky konservatorizëm nuk përjashton sfondin fetar, i cili korrespondon me vlerat konservatore.
Sipas tij, platformat e tilla nuk janë shpikje të reja në Kosovë, por ekzistojnë edhe te partitë konservatore në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, siç thotë Agani, programi politik të cilin do ta zbatojë koalicioni “Lista për familjen”, ka të bëjë me qasjen konservatore për ruajtjen dhe përparimin e vlerave etike dhe morale të shoqërisë kosovare, e të cilat në mjaft pika korrespondojnë edhe me vlerat fetare.
“Vlerat etike dhe morale burojnë nga identiteti fetar i njeriut. Prandaj, për aq sa ato janë pjesë normale e identitetit të një qytetari, aq do të jenë edhe pjesë e aktivitetit dhe veprimtarisë sonë politike”, thotë Agani, duke kujtuar se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës i takojnë besimit islam.
Pjesë e koalicionit “Lista për familjen” janë deklaruar edhe deputetët aktualë të Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica - të cilët më 1 tetor dhanë dorëheqje nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje - si dhe aktivistë të tjerë politikë.
Në një konferencë për media, po atë ditë, Rrahmani dhe Korenica thanë se arsye të dorëheqjes janë mospajtimet me Vetëvendosjen lidhur me Projekt-Kodin Civil, që, sipas tyre, “me disa dispozita cenon familjen tradicionale”.
Të dy deputetët janë shprehur edhe kundër Projektligjit për shëndetin riprodhues, që, sipas tyre, “legalizon fertilizimin me donim dhe pa identitet të njohur”, si dhe kundër Projektligjit për gjendjen civile që “lejon ndërrimin e gjinisë sipas ndjesisë”.Në këto kundërshtime janë të bashkuar edhe AKR-ja dhe PD-ja, si pjesë e "Listës për familjen".
Rrahmani thotë për Radion Evropa e Lirë se do t’i prijë “Listës për familjen” në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ai thotë se i ka bindjet e tij fetare dhe është praktikues i besimit islam, por e përjashton mundësinë e përfshirjes së sfondit fetar në veprimin e tij politik.
“Angazhimi politik nuk ka të bëjë me sfondin fetar, për shkak se rregullimin në aspektin fetar e bën jashtëzakonisht mirë Bashkësia Islame [e Kosovës]... kurse te komunitetet tjera fetare janë bashkësitë tjera fetare”, thotë Rrahmani.
Orientimi ideologjik i listës në përgjithësi, shton ai, do të jetë konservator dhe në mbrojtje të vlerave të familjes.
Latifi: “Jo çfarë thonë, por çfarë bëjnë”
Por, profesori Latifi thotë se në analizën politike ekziston parimi që “nuk duhet gjykuar subjektet politike sipas asaj që thonë për vete, por sipas asaj që bëjnë në praktikë”.
“Këta, në praktikë, kanë qenë individë apo subjekte që janë munduar t’i japin ngjyrime religjioze qytetarisë kosovare dhe Republikës laike të Kosovës, shtetit të Kosovës”, thotë Latifi.
Sipas tij, koalicioni aktual “Lista për familjen” shihet si mundësi nga AKR-ja dhe PD-ja për rikthim në jetën parlamentare të vendit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ishte pjesë e listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe gjatë mandatit aktual legjislativ ai është pjesë e grupit parlamentar të kësaj partie.
Partia e Drejtësisë i bojkotoi zgjedhjet e atij viti, për shkak se kryetari i saj, Ferid Agani, po përballej me një proces gjyqësor, nën dyshimin për korrupsion gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë. Ai u lirua nga kjo aktakuzë në vitin 2022.
Partia e Drejtësisë ekziston tash e 25 vjet dhe në disa mandate ka pasur deputetë në Kuvendin e Kosovës.
AKR-ja e Pacollit dhe PD-ja e Aganit krijuan koalicionin Kosova e Re për zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 dhe u bënë pjesë e legjislaturës dhe ekzekutivit.
Në vitin 2011, ky koalicion inicioi amendamente ligjore për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, si dhe për futjen e mësim-besimit në shkolla publike.
Por, ato amendamente u hodhën poshtë nga Kuvendi i Kosovës.