Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutas, zhvilloi të mërkurën një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviq, në Beograd.
Në këtë takim, u diskutua mbi situatën e sigurisë në Kosovë, me fokus të veçantë në zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Mojsiloviq e përshkroi situatën si “të paqëndrueshme dhe të ndjeshme”, duke fajësuar institucionet e Kosovës për gjendjen aktuale.
Ai pretendoi se Qeveria e Kosovës po përpiqet të ndryshojë strukturën etnike në veri të vendit, një zonë kryesisht e banuar nga serbë.
Këto akuza janë hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës, të cilat mbrojnë vendimet e tyre si të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën.
Vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri, të cilat konsiderohen të jashtëligjshme, kanë shkaktuar reagime të forta nga Serbia, që i ka cilësuar këto veprime si “përndjekje të serbëve”.
Reagime ka pasur gjithashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme dhe mungesë koordinimi.
Një nga masat e ndërmarra nga Policia e Kosovës ka qenë mbyllja e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në komunat e veriut, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun.
Komandanti i KFOR-it, Ulutas, do të përfundojë mandatin e tij njëvjeçar në tetor dhe do të zëvendësohet nga gjeneralmajori italian, Enrico Barduani.