Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje lidhur me operacionin e së mërkurës kundër fajdeve, i cili është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Gjatë kontrollit në tri lokacione, janë arrestuar tre persona me inicialet A.Th., I.Th., dhe J.Th., të cilët dyshohen se i kanë dhënë viktimës para me kamata mujore prej 25 për qind, duke e vendosur atë në kushte të paqëndrueshme financiare.
“Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i pagaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar dy automjete, para të gatshme dhe prova tjera materiale.
Ndërsa të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit për 48 orë.
Po ashtu, thuhet se prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.