Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sot ka shkuar për vizitë zyrtare në Letoni.
Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se vizitën e ka nisur me një takim të përzemërt me homologen e saj letoneze, Inese Libina Egnere.
Më tej, ajo ka shtuar se Republika e Kosovës dhe Letonia kanë një partneritet të fuqishëm.
“Në këtë takim e falënderova për mbështetjen që Letonia i ka dhënë Kosovës në shumë procese të rëndësishme për vendin, në procesin e integrimit, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe liberalizimin e vizave dhe Këshillin e Evropës”.
“Diskutuam gjatë për punët që po bëjmë dhe për mbështetjen që na duhet në aspektin e digjitalizimit të sistemit në Kosovë, përdorimin e të dhënave të gjyqësorit në politikëbërje, si dhe bashkëpunimit në fushën e trajnimeve të veçanta për gjyqësorin dhe stafin tjetër”, ka thënë Haxhiu.