Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta që të arrijë integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar se po premtohet shumë, por nuk po bëhet ajo që kërkohet.
“Marrëveshja e Berlinit, të gjitha vendeve të Ballkanit u është krijuar mundësi që të marrin fonde, dhe nëse i vendosen masa Kosova përjashtohet edhe nga kjo marrëveshje. Evropa dhe Perëndimi po ta jep dorën, ti po e heq dorën. Është problem në vete. Sa i përket Këshillit të Evropës, janë disa probleme. Nuk po punojmë në taktikat e nevojshme, po premtojmë shumë dhe në fund kur po dështojmë po ia lëmë fajin dikujt tjetër. Ne kemi detyrat tona në Kosovë që t’i kryejmë, dhe nëse i kryejmë i hapim rrugë vetes”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Haliti ka shtuar se marrëveshjet që kanë rrjedhur ndër vite e që janë nënshkruar, duhet të zbatohen si pjesë e zotimeve që janë marrë – përfshirë atë të Brukselit dhe të Ohrit.
“Duhet të zbatohen marrëveshjet. PDK-ja ka nënshkruar marrëveshjen e Brukselit. Nënshkrimi i marrëveshjeve, pavarësisht se çfarë flas unë apo dikush tjetër, që mbajmë qëndrim, që flasim ne nganjëherë edhe për interesa elektorale t’i fitojmë nja 15 vota më shumë nga njerëz që janë patriotë… por hapin e kemi të vogël”.
Ndërkaq, ka folur edhe për PDK-në në zgjedhjet e ardhshme. Ka theksuar se partia e tij nuk e ka humbur elektoratin.
“PDK-ja nuk e ka humbur elektoratin, PDK-ja ka të metat e vetat, por elektorati në Kosovë duhet ta ketë kuptuar që politika e qeverisë aktuale është politikë zhurmagjish dhe politikë që nuk e ka bindur askënd deri sot që është në rrugë të duhur për variantin që Kosova duhet të ecë aktualisht. Ka hy me zhurmë të madhe që do ta luftojë korrupsionin, krimin, realisht unë nuk kam dëgjuar se ka arritur diçka. Me propagandën që është bë edhe neve na është mbushë mendja që vërtetë paska diçka dhe është dashtë t’i fusim duart në xhepa mos na ka futë dikush diçka në xhepa”, është shprehur ai.