Gjermania ripërsëritë kërkesën për CEFTA-n, Qeveria thotë se po punojnë për zgjidhje

Aktuale

Gjermania ripërsëritë kërkesën për CEFTA-n, Qeveria thotë se po punojnë për zgjidhje

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 20:53
CEFTA

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Emanuel Sarrazin, gjatë qëndrimit në Kosovë edhe njëherë i ka kërkuar Kosovës largimin e masës për mallrat ndaj Serbisë para Procesit të Berlinit. E në një përgjigje nga Qeveria, thanë për Tëvë1 se janë duke punuar që 10 vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm.

Gjermania edhe njëherë ripërsëriti kërkesën ndaj Kosovës.

Largoni masat e ndalimit të mallrave të prodhuara në Serbi thotë emisari  gjerman për Ballkanin Perëndimor, Emanuel Sarrazin.

Kjo pasi sipas Sarrazin, Kosova mund të largohet nga Nisma Rajonale Tregtare (CEFTA), meqë një gjë e tillë është kundër parimeve të CEFTA-s.

Emisari gjerman shtoi tutje se shumë kompani nga Gjermania po investojnë tashmë në Serbi, e që duhet të ndodh ngjashëm edhe në Kosovë.

Është shumë e qartë që secili nga vendet e Ballkanit Perëndimor, secila ekonomi e vetme nuk është mjaftueshëm relevante për të pas ekstra argumente pse një kompani duhet të shkojë atje. Por, nëse shikon vetë rajonin është ndryshe. Unë nuk e di ndonjë investitor nga Gjermania që është duke investuar në ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk shikon potencialin e vendeve fqinje në gjithë rajonin. Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon”, tha Sarrazin të mërkurën në Prishtinë.

E në një përgjigje zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se janë duke punuar që 10 vjetori i Procesit të Berlinit, të jetë i sukseshëm.

“Po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, tha Kryeziu.

Kurse kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca është optimist se do të gjendet një kompromis

“Jam shumë optimist se qeveria do të gjejë një gjuhë të përbashkët me organizatorët e këtyre nismave rajonale. Interesi i Kosovës është që të vazhdojmë të jemi pjesë e tyre. Pozicionin e qeverisë e kemi dëgjuar, kjo është çështje e sigurisë, partnerët tanë kanë propozuar që kjo mund të zgjidhet përmes disa masave që mund të merren dhe skanerëve. Tash i përket qeverisë që të gjejnë gjuhë të përbashkët që mund të ketë marrëveshje në këtë aspekt”, tha ai.

Nga ana tjetër politologu, Fidan Ukaj tha për televizionin se kjo masë ishte e ligjshme pasi që Beogradi zyrtar bëri veprime të kundërligjshme ndaj Kosovës.

Por sipas tij, shteti duhet t’i dëgjoi aleatët e saj.

“Mendoj se me të drejtë institucionet e Kosovës e kanë vendosur një masë të tillë në kohën kur kishte një kidnapim të policisë së Kosovës, e po ashtu kishte përpjekje nga ana e Serbisë për aneksim të territorit të Kosovës. Mendoj se tani kur kemi një kërkesë të vazhdueshme nga faktori ndërkombëtar, aleatët tanë, miqtë tanë për largimin e kësaj mase, e po ashtu jemi pjesë i një organizimi evropian sic është CEFTA për mundësinë e tregtimit të lirë”, tha Uka.

Qeveria kosovare kishte ndaluar importet nga Serbia në qershor të 2023-tës, me arsyetimin se ato po e rrezikojnë sigurinë dhe se, përmes tyre, po hyn edhe armatimi në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat