Vokrri: Është kërkesë e BE-së që kërcënimet nga Serbia t’i trajtojmë me seriozitet

Aktuale

Vokrri: Është kërkesë e BE-së që kërcënimet nga Serbia t’i trajtojmë me seriozitet

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 09:47
Foto ilustrim

Zëvendësministri i pushtetit lokal Arbër Vokrri ka mohuar zërat se qeveria e Kosovës po e përdorë çështjen e veriut për fushatë elektorale, duke theksuar se përderisa Serbia vazhdon ta ketë Kosovën pjesë të kushtetutës së saj, situata e sigurisë në Kosovë gjithmonë do të jetë e cenueshme.

Vokrri gjithashtu tha se është kërkesë e vet BE-së që çdo kërcënim që vjen nga Serbia ta trajtohet me seriozitet.

“Nuk po përdorët për fushatë por kërcënimet janë reale unë mund të ju them se edhe nga takimet që kam pasur me deputet të parlamentit Evropian më është kërku që çdo kërcënim nga Serbia të merret seriozisht”, tha ai.

Veprimet e fundit të qeverisë së Kosovës në veri, të cilat janë kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, sipas institucioneve të Kosovës, kanë kontribuar në integrimin e qytetarëve serbë në këtë pjesë të vendit.

Por, ndryshe mendon drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci.

Sipas tij, në veri të vendit ka vetëm shtrije të policisë por jo edhe të funksionalitetit të plotë të institucioneve. Ai gjithashtu tha se atje ende përdoret dinari serb.

“ Atje ende kryhen pagesat me dinar pra nuk është ndaluar dinari atje ende qarkullon dinari ka edhe euro por ka edhe dinar pra është situatë e njejtë”, tha Peci.

Qarkullimin e dinarit në veri e konfirmoi edhe zëvendësministri i pushtetit lokal, Arbër Vokrri. Sipas tij, qëllimi i qeverisë ka qenë që të ndalohen transaksionet e mëdha të cilat, siç u shpreh ai, shkonin për financim të grupeve dhe bandave terroriste serbe.

“ Qytetarët mund të japin 2 lopë dhe të marrin 2 dhi, ose mund ta japin një traktor e të marrin një ari tokë ne nuk i përcjellim këto qëllimi ka qenë që të ndalohen transaksionet bankare pra ato të bëhen me valutën zyrtare euro ajo që mund të them është se atje nuk ka më dinar me thasë me të cilat financoheshin strukturat kriminale”, tha Vokrri.

Ditë më parë në komunën e Zveçanit pati një shpërthim në afërsi të një pike karburanti, të hapur së fundi nga ndërmarrësit shqiptarë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala vlerëson se mbetjet e strukturave serbe në Kosovë, sërish rrezikojnë destabilizimin e sigurisë në veri.

“ Marrë parasysh shpërthimet dhe sulmet që kanë ndodhur ditëve të fundit atëherë arrihet në konkludim se mbetjet e bandave serbe mund të tentojnë një përshkallëzim të situatës atje”, tha Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat