Profesori nga Parizi, Nezir Kraki ka reaguar ndaj komenteve të bëra nga emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, lidhur me diplomacinë e Kosovës.
Kraki theksoi se Sarrazini nuk ka detyrë të kryejë diplomaci për Kosovën dhe se nuk mund të imponojë vendime ndaj saj. Ai ka theksuar se Gjermania nuk duhet të kërkojë nga Kosova që të lëshojë pe në negociata për të përfituar mbështetje.
“Më sa e shoh unë tash s’ka Gabriel Escobar, sikur ky e përfaqsu atë metodën kaubojeske të Escobarit, me diplomaci pa takt. Askush nuk i ka thënë bëjë diplomaci për Kosovën, ai bën diplomaci për Gjermaninë. Dhe shumë mirë që bën për Gjermaninë. Interesat ekonomike, tregtare janë më shumë me Serbinë, lidhej prej 20 vitesh tash më. Por ai nuk ka mision që të flas, t’i imponojë Kosovës diçka. Apo të flas ne emër të Kosovës, as me Serbinë e as më një vend. Aty është vëzhgues, dialogu bëhet me Serbinë, jo me Gjermaninë. Kosova s’mund të lëshojë pe Serbisë, që Gjermania t’i jap diçka Kosovës. Kosova nuk ka bisedime me Gjermaninë.
Më planin franko-gjerman Kosova nuk duhet t bllokohej. I kërkohet Serbisë ta mos bllokojë Kosovën në organizata. Dhe tani një vit pas atij plani çohet Gjermania dhe Franca e bllokojnë Kosovën për në KiE. Duke i thënë se bëni Asociacionin ju e ne ju lejomë të futni në Këshill të Evropës. Këta a e dhunuan vetë planin e tyre apo çka ndodhi tash”, ka theksuar Kraki.
Lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kraki theksoi se kjo ide është ende në fazë propozimesh dhe nuk është një obligim për t’u zbatuar.
“Për Asociacionin është diskutuar si ide. Kurrë nuk ka ekzistuar. As nuk dihet si do të jetë as si do të mund të jetë. Kurrë, kurrë. Propozimet që janë bërë nga BE-ja dhe nga një OJQ janë veç propozime. Askush nuk ti kërkoj të zbatoje diçka që është veç ide. Se ajo duhet të konstruktohet të ndërtohet në terren, terreni është gjeografi dhe demografi në Kosovë para se me qenë politik”, ka thënë Kraki.
Komentet e Krakit erdhën pas kritikave të Sarrazinit, i cili kishte sugjeruar se Kosova kishte humbur momentum diplomatik për çështje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
“Ju nuk duhet t’ia besoni Gjermanisë të bëjë punën e juaj diplomatike. Duhet të bëhet nga vetë Kosova, që të bindë partnerët e tjerë e jo vetëm që të na lërë neve që ta bëjmë atë”, ka thënë Sarrazin.