Shpërthimi ishte aq i madh sa që preku edhe pjesën e tavanit të këtij objekti.
Ky objekt është në komunën e Zubin Potokut dhe para mesnatës, të mërkurën aty u dëgjua një shpërthim i fuqishëm.
Prandaj edhe hetuesit policor sot kanë dal në terren për të parë gjithçka që kishte ndodhur mbrëmë.
Motivet nuk dihen ende e as të dyshuarit.
Por, policia po thotë se besohet që mjeti që u përdor për shpërthim ishte eksplozivi.
“Fillimisht është dëgju një detonim, kemi pranu informacione edhe e kemi dëgju sepse ne jemi edhe në qytetin e Zubin-Potokut. Janë thirrë njësitet relevante dhe ne besojmë që kemi të bëjmë me një eksploziv I cili njëherë përnjëherë nuk mund të themi se cka është sepse njësitë tjera e bëjnë këtë vlerësim”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.
Kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se ky objekt i pabanuar është në pronë të ish-kryetarit të kësaj komune dhe ka një dyshim se pse ka ndodhur ky sulm që mund të jetë i qëllimshëm.
“Ajo është pronë e ish-kryetarit të Zubin Potokut dhe kjo ndodhi pasi që unë dhe ai patëm një takim rastësor dhe më pas ai takim morri publicitet e më pas të njejtin e fyenin dhe quanin me epitete të ndryshme si tradhtar e të ndryshme”, ka thënë Zeqiri.
Brenda dy muajsh kjo është hera e tretë që në Zubin Potok hedhen mjete shpërthyese ku cak zakonisht janë qytetarët të cilën janë pjesë ose bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.