Haradinaj thotë se Kurti është i rekrutuar nga Serbia

Aktuale

Haradinaj thotë se Kurti është i rekrutuar nga Serbia

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 21:38
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka hedhur akuzë të rëndë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si të rekrutuar nga Serbia.

Teksa ka folur për investimin që po e bënte qeveria e tij me “Contour Globalin” për termocentralin e ri me 500 megavat energji elektrike dhe anulimin e projektit nga Kurti sapo ishte emëruar kryeministër i ri, Haradinaj ka thënë se ai kishte agjendë të fshehtë.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se Kurti e ka refuzuar edhe mundësinë që Kosova të kishte gazin, projekt nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“Kem pasur dyshime se është një agjendë e fshehtë e Kurtit dhe e Vetëvendosjes. Jemi mundu që ta mbijetojmë këtë projekt, por kur erdhi Kurti u shkroi atyre se po e anulon”, ka thënë Haradinaj në “Paradoks”.

“Në të njëjtën linjë, Kurti e refuzoi gazin amerikan sepse ishte pa kosto, sepse amerikanët investojshin bashkë me BE-në. Ne do të ishim stacioni i fundit i gazit të lëngshëm. Nëse do ta kërkonte Serbia tash gazin amerikan, siç lidhi marrëveshje tani, atëherë Serbia do ta merrte prej neve. Nuk do të kishim nevojë që të blinim energji. Kurti është treguar mjaft i suksesshëm që ta pengojë Kosovën që të mos ketë kapacitete të reja të energjisë sepse që të blejë më shtrenjtë prej Serbisë nëpërmjet Martin Berishajt, dolën krejt ato çanta të parave, ashtu siç e sulmoi kryeprokurorin kur ia sulmoi dostin Kurtit, Nagip Krasniqin [ish-kryeshefin e KEK-ut]”, ka theksuar ish-kryeministri Haradinaj.

Haradinaj ka akuzuar se Kurti ka bashkëpunim me Serbinë dhe Rusinë.

“ Ky është në kontratë me armiqtë e Kosovës, pra ka kontratë me Serbinë, me Rusinë për angazhime e veta. Sepse energjia nuk është vetëm energji, është ushtri, shëndetësi, arsim, vend pune, pensione. Nëse këto 256 milionë euro që ky i ka blerë energji dhe të kishim tonën ne do të mund të ngritnim pensionet. Gjitha janë agjendë e tij për ta dobësuar Kosovën”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur nëse ka prova, Haradinaj ka thënë se anulimi i projektit për termocentralin e ri, është provë e këtij bashkëpunimi.

“Prova është kjo. Kosova ka mbetur pa 500 megavat. Është energji e pastër, krahasuar me këto të sotme që janë të vjetra, ajo që vjen e re nuk ka ndotje, ne çdo ditë bëjmë renovime në turbina. E la Kosovën pa 250 apo 500 megavat sepse kur e ke gazin ti e vendos kapacitetin. Po blen energjinë dhe po ua rrit çmimin për qytetarët. Çka do më shumë fakte”, ka shtuar ai.

“G-7 ekziston dhe kryesisht ulen [bisedojnë] për energji sepse është kyç si për sigurinë të mbrojtjes, ky ka goditur në pikën më vitale, nuk të ka lanë me u ba fuqi energjetike, ku ka diçka më të keqe për Kosovën dhe më të mirë për Serbinë”, ka pyetur Haradinaj.

Ai ka shtuar se krejt këto janë të mjaftueshme për të thënë se Kurti është i kontraktuar nga Serbia.

“Po shihen se ka pasur interesa financiare, por interesat financiare askush nuk i lidh me armikun pa qenë në shërbim të armikut. Këta i kanë lidh interesat financiare sepse po shihen transaksionet që kanë ndodhur. Ka me qenë e tmerrshme me u pa se si ka ndodhur tregtia e energjisë me vendet e tjera. Nuk mundesh me qenë armik i Serbisë e me kundërshtu gazin amerikan. Kurti është njeri i tyre. Është i rekrutuar prej tyre. Ju tregova vetëm goditjet që ia ka bërë Kosovës me energji”, ka thënë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat