7 vepra penale, 14 prova: Për çka u denoncua Gani Jakupi në Krime Ekonomike

Aktuale

7 vepra penale, 14 prova: Për çka u denoncua Gani Jakupi në Krime Ekonomike

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 23:27
Gani Jakupi

Janë 7 vepra e 14 prova në një denoncim për të cilin raportoi Sateliti, e që Gazeta e ka parë. Kallëzimi ka të bëjë me atë që u bë i njohur se po paguhej nga shteti si konsulent i jashtëm, hiç më pak se 7 mijë e 500 euro. Pra, është vetë ai Gani Jakupi. Jakupin e denoncoi ish-bashkëpunëtorja e tij, në denoncim si “e dëmtuara” Majlinda Bregasi.

Veprat për të cilat e dënoncoi në Policinë e Kosovës, departamenti për Krime Ekonomike Bregasi, z. Gani Jakupin janë këto: Keqperdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, shpërlarje e parave, shmangia nga tatami, mashtrimi, konflikti i interesit, falsifikimi i dokumentit zyrtar, mashtrimi me subvencione.

Tutje në kallëzim thuhet se vepra të tjera do të mund të zbulohen gjatë procedurës penale.

Në arsyetimin e këtij denoncimi, janë hiç më pak se 14 prova: dokumente, transaksione, komunikime etj.

Çka thoshte pushteti për 7 mijë e 500 eurot në muajt për Jakupin

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donik Gërvalla, e kishte mbrojtur “super” këshilltarin e MPJD-së, Gani Jakupi, i cili ishte angazhua për lobim me një pagë prej 7 mijë e 500 euro në muaj.

Gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, ajo kishte thënë se paga e tij është modeste.

Ajo ka kërkuar që të respektohet personaliteti i Gani Jakupit, duke thënë se po bënë punë të jashtëzakonshme.

“Lehtë është ta angazhosh një kompani që kushton 4 milionë, por vështirë është të gjesh personalitete të rëndësishme kulturore dhe publike të vendeve të ndryshme të cilët me një shumë modeste, e cila pothuajse nuk i tejkalon shpenzimet që Republika e Kosovës i ka për një diplomat në vendin pritës”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja u pati shprehur krenare me punën e Jakupit.

Sipas saj, krahasuar me kontratat e mëhershme lobuesi, shumë me të cilën paguhen Jakupi është modeste.

“Prandaj, unë jam shumë krenare, shumë jam krenare, që me këtë shumë modeste, e cila nuk është pagë mujore, e cila është shumë që përfshinë shpenzimet e një projekti të terë njëvjeçar. Është një shumë shumë modeste krahasuar me të gjithë dokumentacionin që unë kam parë në Afrikë dhe shtetet tjera. I kam parë me kujdes, sepse është puna ime, tjetër që janë kontrata konfideciale të se kaluarës të cila nuk i ka deklasifikuar institucioni përkatës. Përndryshe me shumë kënaqësi vi këtu dhe iu tregoj për kontrata e lobimit në të kaluarën”, ka thënë gërvalla.

Ajo ka thënë se në vend që të hidhet balt mbi personalitetin e Gani Jakupti, ai duhet të falënderohet për punën që është duke e bërë.

Kryediplomatja kishte mohuar se Jakupi është këshilltar i saj.

“Në vend që të hidhet balt mbi ta, do të duhej ky vend t`i falenderonte dhe t`i motivonte edhe të tjerët që të angazhohen. Ky është një instrument legjitim i bazuar në ligj, i bazua në bazuar në buxhet dhe i planifikuar me kohë. Prandaj, nuk ka asnjë dilemë, nuk ka asnjë mister rreth kontratës që është lidhur përmes misionin tonë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë në bazë të secilës ai angazhohet”, është shprehur ajo.

Madje, Gërvalla ka kritikuar opozitën për sulmet ndaj Gani Jakupit.

“Dhe fakti për të me sulmua mua nuk kursehen as personalitete e shquara të jetës publike, vetëm për ta sulmuar Donika Gërvallën. Sepse opozitës i kanë ikur të gjitha mundësitë tjera. E kuptoj shqetësimin tuaj, u sosen edhe mjetet, u sosen edhe financat. Unë nuk mujë të iu ndihmoj në atë aspekt, aty ju ndihmon vetëm një punë e përkushtuar si opozitë”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo s’e kishte lënë pa përmendur edhe mediat.

Sipas saj, ato po bëjnë fushatë kundër Gani Jakupit.

“Kursejini njerëzit e tjerë, sepse do të na duhen në të ardhmen. Fushata që bëhet për të sulmuar gjithë kënd që guxon të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, ballafaqimi me fushatat e ashpra mediale, nuk na ndihmon në të ardhmen, sepse i largon njerëzit. Sepse nuk i ka asnjë borxh këtij vendi Gani Jakupi. Asnjë borxh nuk i ka, është dëshira e tij, është vullneti i tij, janë kontaktet e tij, është përkushtimi i tij, lidhja e tij me këtë vend, e cila e bën që sot ende të mos e ketë prishur kontratën, edhe pse ai ballafaqohet me një situatë të tillë. Prandaj ju lus për më shumë dinjitet, ju lus për më shumë kujdes kur flisni në raport me personalitete të shquara të jetës publike dhe kulturore, sepse nuk është fer sulmin ndaj qeverisë ta kanalizoni përmes medieve familjare”, ka deklaruar ajo.

Ajo e falënderoi sërish në fund Jakupin.

“Edhe një herë, e falenderoj këtu publikisht zotin Gani Jakupin për punën që ka bërë në kuadër të kësaj kontrate deri tani dhe ju siguroj, ju garantoj me fjalën time, që rezultatet nga qershori i këtij viti deri sot, vetëm kaq sa zoti Gani Jakupi ka bërë në kuadër të kësaj kontrate, është shumëfish më tepër sesa miliona eurot që janë shpenzuar për lobim personash dhe lobim çështjesh, siç e përmendët ju shkëbimi i territoreve.” – shtoi ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat