Zëvendësministri tregon kur hapet Ura mbi lumin Ibër

Aktuale

Zëvendësministri tregon kur hapet Ura mbi lumin Ibër

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 09:55
Ura e Ibrit

Zëvendësministri i MAPL-së, Arbër Vokrri, ka deklaruar se ura mbi lumin Ibër do të hapet për qarkullimin e automjeteve gjatë periudhës së mbetur të mandatit të VV-së.

Vokrri u shpreh i bindur se ura do të hapet dhe se tashmë është vetëm çështje muajsh.

“Nëse ky është koordinimi, pajtohen me këtë definicion të koordinimit, i bie që po jemi duke u koordinuar. Nuk po ngutemi me hap atë urë edhe për automjete… por do të ndodhë – ura do të hapet edhe për automjete të motorizuara. Tashmë është çështje muajsh, është koha afër. Ura do të hapet brenda muajve  të mandatit  që kanë mbetur edhe tre-katër muaj, pra brenda kësaj periudhe duhet të hapet ajo urë”, tha ai.

I pyetur se a do të bindën të gjithë ndërkombëtarët për hapjen e urës, Vokrri tha se “s’është në rregull me prit që secili diplomat me u pajtu me secilin vendim tonin”.

“Data për hapjen e urës nuk ka pasur. Kam qenë unë ai që kam jep një periudhë të afërt, por datë as unë s’kam përmend. Ka qenë një pritshmëri fare e natyrshme. Nuk po ndodh ajo, të gjithë e dimë arsyen pse dhe nuk është hera e parë. Edhe më herët për iniciativa tona kur ka pas një periudhë refraktare, por ende nuk kanë mundur me u adaptua prania ndërkombëtare me ndryshim të një realiteti – ndryshim pozitiv ne iu kemi jep kohë, mandej kemi marrë veprim. Edhe kësaj radhe nuk ka ndonjë ndryshim të madh prej asaj…Nëse nuk bindën të gjithë, disa do të binden. Nuk mendoj që është kështu në rregull me prit që secili diplomat me u pajtu me secilin vendim tonin për shtëpinë tonë”, deklaroi ai.

Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ndërkohë, sa i përket urës, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në takim me emisarin evropian ka deklaruar se kjo çështje është trajtuar dhe dakorduar në Bruksel në kuadër të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat