U emërua në shtabin zgjedhor në Drenas, anëtari i Kryesisë së PDK-së refuzon pozitën dhe flet për përçarje në parti

Aktuale

U emërua në shtabin zgjedhor në Drenas, anëtari i Kryesisë së PDK-së refuzon pozitën dhe flet për përçarje në parti

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 11:34
Petrit Hajdari

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari, ka thënë se ka refuzuar që të marrë pozitën e Udhëheqësit të Sektorit për Koordinim me Diasporë në shtabin zgjedhor të degës në Drenas.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Hajdari ka thënë se emërimi i tij në këtë pozitë është bërë pa u konsultuar paraprakisht, teksa ka shtuar se nuk do të bëhet pjesë e organizmave që përpiqen t’i mbulojnë përçarjet.

“Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja. Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së.  Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t’i luftojnë përçarjet, përpiqen t’i mbulojnë ato”, shkroi ai.

Hajdari më tej ka thënë se kjo ka të bëjë me tentativë për të personalizuar proceset brenda partisë.

Sipas tij, nuk do ketë asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do jetë gjithmonë kontribues për PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamza.

“Këtu kemi të bëjmë me tentim për të personalizuar proceset brenda partisë, prandaj unë nuk mund t’i kontribuoj kësaj ideje sepse nuk besoj në të. Nuk do të jem në asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do të jem siç kam qenë çdoherë, kontribues me gjithë çka kam e çka jam, për PDK-në dhe Bedri Hamzën Kryeministër”, shtoi ai.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Drenasit,

Mbrëmë e pashë emrin tim në listën e shtabit zgjedhor të degës së PDK-së në Drenas ku isha emëruar Udhëheqës i Sektorit për Koordinim me Diasporë.

Prej kohësh jam përpjekur me ato mjete që kam pasur në dorë, që ta ndihmoj procesin e përbashkimit, të koordinimit e të kontributit të përbashkët për Partinë Demokratike të Kosovës, së këndejmi Kosovën e veçanërisht Drenasin.

Por, procese të tilla kërkojnë transparencë e gjithëpërfshirje. PDK është e ndërtuar mbi një traditë të konsensusit e të bashkimit që është sa e gjatë aq e lavdishme për shtetndërtimin tonë.

Emërimi im në këtë pozitë, pa kurrfarë konsultimi paraprak, reflekton krejt të kundërtën e asaj çka është e çka duhet të jetë PDK-ja.

Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së.

Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t’i luftojnë përçarjet, përpiqen t’i mbulojnë ato.

Këtu kemi të bëjmë me tentim për të personalizuar proceset brenda partisë, prandaj unë nuk mund t’i kontribuoj kësaj ideje sepse nuk besoj në të. Nuk do të jem në asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do të jem siç kam qenë çdoherë, kontribues me gjithë çka kam e çka jam, për PDK-në dhe Bedri Hamzën Kryeministër.

I juaji,

Petrit Hajdari

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat